Komuna e Prishtinës nuk ‘guxon’ të nënshkruajë kontratë me kompaninë që u përzu nga Vlora

01.05.2019 14:15:15
Komunës së Prishtinës iu ngutë që të shpallë fitues një kompani që të menaxhojë me parkingjet në kryeqytet, duke e ftuar në tender me procedurë të negociuar, pa publikim të kontratës. Tash, Komuna po heziton të nënshkruajë kontratë më kompaninë nga Amerika “Tis Holding”.
Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Shpend Ahmeti, më 18 mars e ftoi kompaninë “Tis Holding” që të nënshkruajë kontratë më 22 mars 2018, për shërbime të menaxhimit të parkingjeve në qytetin e Prishtinës. Kompania e cila ka për pronar biznesmenin shqiptar Bashkim Shalla, akoma nuk ka nënshkruar kontratë me komunën e Prishtinës, ani pse në “njoftimin për dhënie të kontratës” ishte vendosur 22 marsi për lidhje të marrëveshjes.

Lajmi.net ka mësuar se kryetari Ahemti po heziton që të nënshkruajë kontratë më këtë kompani të cilës komuna i ka bërë vetë ftesë. Mësohet poashtu se Komuna është duke shikuar rrethanat për të cilat akuzohet kjo kompani.

Në Komunën e Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për vonesat e nënshkrimit të kontratës, vetëm e kanë konfirmuar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Lajmi.net ka tentuar të marr përgjigje nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, por edhe nga kryetari Shpend Ahmeti, por asnjeri nga ta nuk ka dashur të prononcohet për këtë rast.

Ndërkohë, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafzaliu-Bejta, ka thënë shkurt se akoma nuk është nënshkruar kontrata.

“Kur të nënshkruhet bëhet publikë në ueb-faqe”, tha ajo për lajmi.net pa dhëne detaje tjera.

Lajmi.net ka biseduar edhe me përfaqësuesit e kompanisë “Tis Holding”  në Shqipëri, të cilët ka thënë se akoma nuk është nënshkruar kontrata.

“Akoma nuk e kemi nënshkruar, jemi në negociata”, tha njeri prej përfaqësuesve të kompanisë.

Ndërkohë, nuk ka dashur të tregojë se cilat kanë qenë arsyet se pse nuk është nënshkruar deri më tani.

“Nuk kemi pse të kemi problem, ç’farë probleme duhet të kemi, jemi në negociata, kaq”, përfundoi përfaqësuesi kompanisë i cili nuk ka dashur të prezantohet, deri sa lajmi.net ka thirrur në telefonin e kompanisë, numri i të cilës është i shfaqur në dosjen e tenderit.

Pa asnjë konkurrencë, por me procedurë të negociuar, prokurimi i Prishtinës e shpalli fitues të tenderit kompaninë “TIS Holding L.L.C” nga SHBA-ja që për adresë e ka vendi “Coastal Highway Lewes Delaware”.

Kjo kompani për herë të parë është paraqitur si fitues tenderi në Komunën e Vlorës në Shqipëri, por më ndërrimin e pushteteve i është shkëputur kontrata, pasi dyshohet se ishte lidhur kundërligjshëm në vitin 2015.

Lajmi.net ditë më parë duke u thirrur në raportimet e medieve në Shqipëri ka raportuar se kompania “TIS Holding L.L.C”, që zotërohet nga biznesmeni shqiptar Bashkim Shalla, kishte fituar koncesionin 15-vjeçar të parkimeve në Vlorë, mbi një vorbull dyshimesh të forta, për sa i përket mosrespektimit të kritereve financiare por dhe ligjin e prokurimeve publike. Nga hetimet e prokurorisë së Vlorës janë evidentuar një sërë veprimesh të paligjshme që të krijojnë bindjen se ky koncesion ka qenë i pilotuar për tu fituar nga bashkimi i operatorëve “TIS Holding L.L.C” që zotërohet nga Shalla dhe “On Track Innovations L.T.D” që përfaqësohej me prokurorë nga izraeliti Arnon Efraty.

Kompania “TIS Holding L.L.C” e Bashkim Shallës është regjistruar në Delaware në datën 20 shkurt 2013. Kjo kompani nuk kishte mbushur as dy vite jetë, kur ka fituar koncesionin miliona eurove të parkingjeve në rrugët e Vlorës.

“Sipas legjislacionit shqiptar që flet për prokurime publike, më konkretisht neni 46, kusht kryesor për një kompani private që garon në një tender apo koncesion publik, është që të ketë bilance të rregullta, të mos ketë detyrime financiare dhe të ketë një kapital financiar të sigurt, me qëllim garantimin e investimit. Në rastin konkret “TIS Holding L.L.C” nuk e përmbushte këtë kriter, pasi kompania e Bashkim Shalla, s’kishte as dy vite jetë nga themelimi në Delaware, kur fitoi koncesionin miliona euro në Vlorë. Në dosjen hetimore thuhet se operatori ekonomik “TIS Holding L.L.C” jashtë çdo kriteri ka paraqitur pranë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Vlorë, vetëm pasqyrat financiare për vitin 2013, vit kur është themeluar dhe asnjë pasqyrë tjetër për vitet e tjera”, shkruan gazeta “Shqiptarja.com”.

Po sipas gazetës, të gjitha këto konstatime janë krijuar, gjatë hetimeve të kryera nga dy prokurorët e çështjes Albert Kuliçi dhe Ardian Ylli, të cilët në 20 shkurt, konkluduan në dërgimin e një pjese të dosjes në gjykatë duke marr të pandehur 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Vlorës, mes tyre dhe kryetarin e kësaj bashkie Shpëtim Gjika.

Hetimi i prokurorisë së Vlorë çoi në ndjekje penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” të gjithë anëtarët e komisionit që ishte ngarkuar për krijimin e kushteve të dhënies së koncesionit të parkingjeve në 25 rrugë të Vlorës. Më konkretisht janë marr të pandehur Ardian Musta, me detyrë ish-nën/kryetar i bashkisë Vlorë njëherësh dhe ish-drejtor i shërbimeve Publike në këtë bashki. I pandehur është marr dhe Ilir Banushi, dhe më tej Arben Beqiraj me detyrë zv/kryetar i bashkisë Vlorë. Nën akuzë është marr dhe Taulla Zanaj me detyrë Drejtor i Financës në bashkinë e Vlorës, Gentian Sherifaj zyrtar pranë drejtorisë së Urbanistikës në këtë bashki, Merita Mema dhe Petro Thanasko.

Sipas përfundimit të hetimit kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dy kompanitë Offshore “TIS Holding L.L.C” dhe “On Track Innovations L.T.D”, në fitimin e koncesionit 15 vjeçar për parkingjet në rrugët e Vlorës. Tashmë çështja e koncesionit të parkingjeve në rrugët e Vlorës, ka përfunduar në gjykatën e Arbitrazhit, ku dy kompanitë Offshore, i kërkojnë bashkisë së Vlorës një vlerë financiare prej 20 milionë euro. Kjo pasi kryebashkiaku i ri i bashkisë në Vlorë, Dritan Leli, vendosi të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën koncesionare të firmosur nga paraardhësi i tij Shpëtim Gjika, në datën 6 shkurt 2015.

“Shqiptarja.com”, tuje shkruan se kryebashkiaku i ri i bashkisë Vlorë, Dritan Leli, vendosi të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën koncesionare të firmosur nga paraardhësi i tij Shpëtim Gjika, në datën 6 shkurt 2015. Ndërkohë, në dosjen hetimore thuhet se operatori ekonomik “TIS Holding L.L.C” jashtë çdo kriteri ka paraqitur pranë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Vlorë, vetëm pasqyrat financiare për vitin 2013, vit kur është themeluar dhe asnjë pasqyrë tjetër për vitet e tjera.

Nga ana tjetër, sipas ‘njoftimit për dhënie të kontratës’ nga Zyra e prokurimit të Komunës së Prishtinës tenderi “Shërbime të menaxhimit të parkingjeve në Qytetin e Prishtinës”, do të jetë më kohëzgjatje për 12 muaj.

Sado që numri i tenderëve të pranuar ka qenë vetëm një, në dosje të tenderit është shkruar se kompania ka pasur ofertë 15 euro për njësi, ndërsa kompania me çmimin më të shtrenjtët ka qenë 39 euro

Ndërkohë, sipas dosjes së tenderit shërbimet që duhet të ofrojë kontraktori për tenderin “Shërbime të menaxhimit të parkingjeve në qytetin e Prishtinës” janë: Vendosjen në dispozicion për shfrytëzim nga Komuna të sistemit të integruar të parkimit me pagesë në pronësi dhe/ose përdorim të autorizuar të Kontraktorit (“Sistemi”), i cili konsiston në një platformë elektronike nëpërmjet të cilës Komuna përmes NPL Prishtina Parking do të monitorojë dhe administrojë shërbimin e parkimit me pagesë nga qytetarët apo subjektet tregtare në rrugë. Konkretisht, nëpërmjet Sistemit, Komuna përmes Prishtina Parking do të realizojë: Realizimin e parkimit publik me pagesë në rrugë në zonat e përcaktuara nga Aneksin 1; Monitorimin e parkimit publik me pagesë nga qytetarët; Arkëtimin e të ardhurave nga tarifat e parkimit publik me pagesë pranë buxhetit të Komunës; inspektimin e zbatimit nga qytetarët/subjektet tregtare të parkimit me pagesë në rrugë në zonat e përcaktuara si të tilla nga Komuna; Asistencë teknikë gjatë gjithë Kohëzgjatjes së Kontratës; Mirëmbajtjen e Sistemit; Ofrimin e asistencës teknike për pajisjet e dëmtuara; Trajnimin e stafit të NPL Prishtina Parking të punësuar për vendosjen në punë, operimin, monitorimin dhe inspektimin e sistemit të kontrollit me pagesë të parkimit.