Koncerti i djeshëm në Vatikan ishte një manifestim i mrekullueshëm

05.09.2016 07:20:44

Ullmar Qvick*

ulmar quik

Nuk po mund ta heq nga mendja Nënën Terezë dhe koncertin shumë të bukur të cilin e përcollëm unë dhe bashkëshortja ime Samka, nëpërmes të kompjutorit tim dhe RTK-live natën e mbrëmshme. Gjërat më të mira të cilat shqiptarët mund ti realizojnë në botën e muzikës dolën në pah dhe unë mbeta i habitur.

Kjo që po ndodh tani – sot me shenjtërimin e Nënës Terezë – unë e shoh si një rehabilitim, si një rikthim të Shqipërisë në shoqërinë europjane. Me këtë përfundoi një epizodë tragjike, e përgjakshme, afër 600 vjeçare në historinë e këtij populli.
Në kohën e Skënderbeut, shqiptarët u detyruan që të ballafaqohen me ushtrinë gjigante osmane e cila e pushtoi Shqipërinë. Shqiptarët luftuan me trimëri dhe me sukses, gjë e cila pasoi me hakmarrje të tmerrshme.
As Vatikani, Venediku apo fuqitë e tjera europjane nuk i mbështetën shqiptarët. Shqiptarët flijuan vehten dhe atdheun e vet për civilizimin europjan. Kjo ishte një sakrificë ekstreme.

Vetëm tani Shqipëria ka filluar që ta rikthejë vendin që i takon në Europën e sotme! Ne tani më i pamë sukseset në sport dhe muzikë, kurse tani këto u kurorëzuan me shenjtërimin e gruas shtatshkurtë, por gruas aq të madhe shqiptare Agnesa Gonxhe Bojaxhiu – ndryshe Nënë Tereza.

Nuk ka mundur të ndodhë asgjë më e bukur dhe më reale se sa drejtimi i projektorëve të dritës nga e gjithë bota, drejt një personaliteti, që nëpërmjet punës së devotshme me njerëz të shtresave më të ulëta të shoqërisë në Indi, tregoi kuptimin e një lufte për dinjitetin njerëzor, për dashurinë dhe njerëzimin!?!

Veprimtaria e Nënës Terezë me simbole të krishterizimit nuk e zvoglon krenarinë e përgjithshme shqiptare për veprën e saj. Shqiptarët muslimanë, të krishterë dhe ateistë e adhurojnë dhe ndjejnë krenari!

A ka diçka më të bukur dhe më të vërtetë se kjo në botën e sotme, në botën në të cilën njeriu ende sikur i gjason zoombive pa ndjenja që po përpiqen të bëjnë ndryshime nëpërmjet armëve dhe luftës!
Jeta e Nënës Terezë na tregon një rrugë tjetër, atë të njerëzores, në vend të rrugës së armëve, luftës dhe luftës për pushtet!
Kjo që po manifestohet sot mua më bën të lumtur….Dhe mbase të gjithë ata të cilët mendoheshin se përse unë gjatë gjithë jetës mbahesha me shqiptarët, tani e kanë kuptuar!
Autori është albanolog nga Suedia, kurse këtë tekst në shqip e ka sjellë znj. Qibrie Hoxha, ish-deputete dhe kryetare e degës së LDK-së në Suedi, dhe e ka shoqëruar me këtë shënim:

Miku i madh i shqiptarëve, suedezi Ullmar Qvick postoi një shkrim të mrekullueshëm në murin e tij këtu në FB. Unë e morra lirinë që ta huazoj dhe ta përkthej në shqip.
Duke marrë parasysh se Ullmari është njohës i madh i gjuhës shqipe dhe një përkthyes profesional, i autorizuar, shpresoj se nuk ia kam bërë shumë gabime dhe nuk ia kam humbur kuptimin këtij shkrimi të mrekullueshëm, duke marrë parasysh se është vonë dhe jam e ngarkuar me obligime të tjera.

Faleminderit miku ynë i shtrenjtë Ullmar Qvick