Konfirmohet: ‘Al Petrol’ shkeli të drejtat e punëtorëve

19.10.2016 22:08:03

Punëtorët e kompanisë “Al Petrol” e cila udhëhiqet nga Latif Kryeziu, pas shumë vonesave të hënën mbrëma i kanë marrë pagat e muajit gusht, por jo edhe ato të muajit shtator.

Kjo kompani pagat punëtorëve për muajin gusht ua ka proceduar pas raportimit në ORAinfo se “Al Petrol’ hap dy pika të reja në ‘kurriz’ të punëtorëve”.

‘Al Petrol’ njihet si një nga kompanitë që më së shumti shkel të drejtat e punëtorëve.

Kjo ka bërë që edhe inspektorati i punës të ketë mjaftë punë me ankesat e punëtorëve të ‘Al Petrol’.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi ka njoftuar për ORAinfo se kanë pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave nga punëtorët e ‘Al Petrol’ në lidhje me shkeljen e të drejtave në punë.

“Inspektorati ka shqyrtuar të gjitha ankesat dhe pothuajse të gjitha ankesat janë vendosur në favor të punëtorëve”, ka thënë Ibrahimi për ORAinfo.

Megjithatë, kryeinspektori nuk ka dashur të tregoj nëse kompania në fjalë është dënuar për shkeljet e konstatuara që u janë bërë punëtorëve.

Në anën tjetër në kompaninë ‘Al Petrol’ janë përgjigjur shkurt për ORAinfo duke konfirmuar vetëm se punëtorët i kanë marrë pagat e muajit gusht.

“Sa i përket rrogave ,të gjithë punëtoret rrogat i kanë marr për muajin gusht”, kanë thënë në këtë kompani përmes një përgjigje me shkrim.

Në anën tjetër punëtorët të cilët nuk kanë dashur t’u bëhet publik identiteti kanë thënë se po e kanë vështirësi të shkojnë në vendin e tyre të punës për shkaqe ekonomike nga vonesa e pagave.

E, në kohën kur kompania nuk ua ka dhënë pagat punëtorëve, ajo ka hapur edhe dy pika të reja, njëra në Veterrnik të Prishtinës dhe tjetra në Podujevë.

Të njoftuar me rastin e shkeljes së të drejtave të punëtorëve nga ‘Al Petrol’ janë edhe në Sindikatën e Sektorit Privat të Kosovës.