Konfirmon kompania: Na duhen edhe 63 milionë euro shtesë për autostradën Prishtinë-Shkup

29.11.2017 21:25:28

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ditë më parë tha se autostrada Prishtinë-Shkup do të përfundojë në fund të vitit 2018, por, shtoi ai, shuma shtesë që nevojitet është 63 milionë euro.

Lekaj për këtë e kishte akuzuar paraardhësin e tij në Ministrinë e Infrastrukturës, Lutfi Zharkun. Lekaj kishte thënë se shuma shtesë prej 63 milionë eurosh kishte ardhur për shkak të vonesave në pagesa për Bechtel Enka-n.

Mirëpo, Zharku kishte deklaruar, disi edhe me fyerje si kundërpërgjigje për Lekajn se nuk bëhet fjalë për 63 milionë euro, por për “vetëm” 14.8 milionë euro.

Megjithatë sot shumën prej 63 milionë eurosh e ka konfirmuar zëdhënësja e kompanisë Bechtel Enka, Ela Ruçi.

Në një përgjigje për gazetarin Mefail Bajqinovci, Ruçi përmend shumën 63 milionë.

Bajqinovci përgjigjen e plotë të Ruçit e ka postuar në llogarinë e tij në Facebook:

“Javën e kaluar e kemi informuar Ministrinë e Infrastrukturës që kostoja për vonesat dhe ndryshimet e planifikimeve të ekzekutimit të projektit në 2.5 vitet e kaluara është rreth 63 milionë. Ne do punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës, si gjithnjë për të arritur një marrëveshje”