Konfiskohen mbi 11 kilogramë drogë në një autobus në Merdare

29.04.2019 12:43:43
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka konfiskuar mbi 11 kilogramë substancë të dyshuar narkotike në Merdare.

Mbrëmë rreth orës 22:00, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e antidrogës ka pranuar një informatë nga njësia mobile e Doganës se Kosovës, të cilët në pikëkalimin kufitar në Merdare kishin ndaluar një autobus të një kompanie turistike me targa (KS), e cila kompani mbanë linjën e rregullt nga Prishtina me një shtet tjetër evropian, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë kontrollimit të autobusit, udhëtarëve si dhe valixheve të tyre, në bagazhin e autobusit kanë qenë tri çanta ku në to kishte 2 zmadhues zëri dhe një klimë për ftohje, ku në brendësi të tyre janë gjetur 11 paketime me bari ngjyrë të gjelbër e dyshuar si substancë narkotike e llojit marihuanë  me peshë 11 kg e 65 gramë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e antidrogës –Prishtinë, njësia  K9 si dhe forenzika rajonale e Prishtinës e cila ka bere fotografimin, matjen dhe tërheqjen e dëshmive.Në lidhje me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij autobusi ndalohet për një kontroll të detajuar, përderisa janë intervistuar edhe dëshmitarë të rastit”, thuhet në njoftim.

Policia me njësitet kompetente është në proces të hetimit të rastit dhe identifikimit të të dyshuarit të involvuar.