Konfiskohet 1123 kilogramë mish në ‘ETC’ dhe ‘VIVA FRESH’

22.03.2018 16:23:32

Inspeksioni i Komunës së Mitrovicës i ka konfiskuar dhe asgjësuar 1,123 kilogramë mish nga dy qendra të mëdha tregtare në këtë qytet.

Konfiskimi i tyre është bërë pasi mishit i ka munguar deklaracioni.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Mitrovicë, Hysni Ahmeti.

“Më datën 13.02.2018 janë konfiskuar 573 kilogramë mish në “Viva Fresh” në Mitrovicë, ndërsa dy ditë me vonë janë konfiskuar 550 kilogramë mish në “ETC” në Mitrovicë”, tha drejtori Ahmeti.

I pari i Inspektoratit Komunal të Mitrovicës ka treguar edhe arsyen e konfiskimit të këtij mishi në këto dy markete.

“Mishi i konfiskuar nuk ka pasur prejardhje dhe nuk ka pasur deklaracion të mallit dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse i njëjti është asgjësuar në deponinë e mbeturinave në fshatin Koshtovë të Mitrovicës”, ka sqaruar Ahmeti.

Gjendet përsëri sasi e mishit të prishur në kompaninë nga Rahoveci

Problemi me mishin me afat të skaduar, siç duket ende nuk është tejkaluar në Kosovë.

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës bashkë me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, kanë ndërmarrë një aksion në kompaninë importuese të mishit “Euro-Ida” nga Rahoveci, ku kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme të mishit të pulës me afat të skaduar, raporton lajmi.net.

Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, e ka konfirmuar rastin për lajmi.net, mirëpo nuk ka dashur të japë detaje më të hollësishme për shkak se rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës.

“Është rast duke u hetuar nga Policia e Kosovës, ndërsa ne jemi ftu me e kry në mbështetje e tyre, do të thotë nuk është rast i jonë. Inspektorët tanë kanë qenë vetëm në mbështetje të tyre”, ka thënë Thaçi.

Kompania e mishit “Euro-Ida” doli në pah pas skandalit të mishit të prishur të importuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2016, e që rezultoi të jetë 12 vjet i vjetër.

Mirëpo, pyetja që shtrohet tani është se nga ka hyrë kjo sasi e radhës e mishit me afat të skaduar në Kosovë?

Në një prononcim për lajmi.net, zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur që kompania “VEVIBA” nga Belgjika ka pasur dërgesa në Kosovë vetëm në vitin 2016, e disa nga to janë ndaluar në pikën doganore nga Agjencia e Ushqimit.

Siç bën të ditur ai, në vitin 2016 kanë qenë tri dërgesa të tilla.

“Në anën tonë çka kemi pa, ka qenë që kompania “VEVIBA”, ka pasur tri dërgesa vetëm në vitin 2016 dhe nuk ka pasur më dërgesa të tilla, ndërsa edhe nga ato tri dërgesa disa janë ndaluar nga Agjencioni i Ushqimit , mirëpo gjithsesi obligimi i doganave është të dihet sasia dhe pesha e mallrave e jo cilësia e tyre”, deklaroi Stavileci.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me kompaninë importuese “Euro-Ida” , mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur për shkak se linja e kontaktit me këtë kompani ka qenë e mbyllur gjatë gjithë kohës.