Konflikti Kosovë – Serbi nuk merr fund me copëtim apo bosnizim të Kosovës

03.09.2018 18:05:28

Nga Rexhep Kastrati

Komisionerja Mogherini ka thënë se ka ardhë koha të marrë fund konflikit Kosovë – Serbi, duke e kontekstualizuar këtë me nivelin aktual të negociatave në Bruksel, por për fat të keq edhe të pazareve që Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq kanë bërë gjatë viteve dhe gjatë këtij viti.

Nevoja për t’u mbyllur konflikti Kosovë – Serbi është e madhe sa për këto dy shtet, po aq edhe për rajonin dhe më gjerë, sepse në këtë mënyrë do të përmbyllej procesi i shpërbërjes i filluar më 1991, me pavarësinë e Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjes, Malit të Zi dhe Kosovës dhe do të vendosej një rend i ri në rajonin tonë.

Ajo që ka rëndësi të thuhet, në këtë fazë të gjithë këtij procesi, është e domosdoshme që të mos cenohen parimet e Badinterit dhe të Grupit të Kontaktit për Kosovën, pra që të mos legjitimohet ndryshimi i kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, por edhe të mos përsëritet gabimi që është bërë në Bosnjë, që të krijohen shtete brenda shtetit, pra të mos krijohet një “Republika Srpska” në Kosovë. Aq më tepër kur në Kosovë, pakica serbe nuk ka qenë më shumë sesa 5% e popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës, dhe do të ishte një precedent i rrezikshëm për gjithë rajonin dhe më gjerë.

Ndryshimi i kufoijve të Kosovës, do të hapte përfundimisht kutinë e Pandorës, siç po thuhet edhe nga të tjerë, përkatësisht efektin zinxhir të ndryshimit të kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, e që do të ishte me pasoja të rënda, me gjakderdhje dhe me lufta të reja, përkatësisht do të hapte plagët ende të pambyllura të luftave të viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Është e qartë se e vetmja mënyrë që kontribuon për forcimin epaqes dhe të stabilitetit është respektimi i parimeve të Badinterit dhe të Grupit të Kontaktit për Kosovën, dhe të mos ketë ndryshim të kufijve, përkatësisht copëtim të Kosovës, as bosnizim të saj, sepse në këtë mënyrëbashkësia ndërkombëtare, e në mënyrë të veçantë BE, tregon nivel të lartë uniteti dhe respekti për të drejtën ndërkombëtare dhe për paqen e stabilitetin në rajon.

Serbët, me Pakon e Ahtisarit, edhe ashtu kanë shkallë të lartë të autonomisë lokale, dhe çështjet që lidhen me interesat e tyre qytetare, me respektimin e identitetit të tyre etnik, fetar e kulturor, me pronat e tyre dhe me aspektet zhvillimore, kurse me marrëveshjet e Brukselit, këto të drejta u janë frocuar dhe rritur. Kështu që ata nuk kanë asnjë argument për t’u shqetësuar për sigurinë e tyre, për interesat e tyre dhe për mirëqenien e tyre.

Kosovës nuk mund t’i vështirësohet funksionimi i saj si shtet, sepse një Kosovë jofunksionale, jo vetëm që nuk u shërben serbëve, po as shqiptarëve dhe pakicave joserbe, përkatësisht një Kosovë jofunskionale nuk mund të garantojë stabilitet dhe paqe për vete, e lë më për rajonin tonë.

Prandaj, të refuzohet copëtimi apo bosnizimi i Kosovës edhe në emër të paqes dhe stabilitetit në rajon, edhe në emër të qytetarëve të saj pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare e kulturore, edhe në emër të mundsëive për zhvillim dhe përparim të saj.