KONGRESI AMERIKAN DUHET TË NGRIHET KUNDËR IDESË ‘SË RREZIKSHME’ SERBE PËR ‘SHKËMBIM TË TERRITOREVE’ NDËRMJET KOSOVËS DHE SERBISË, THONË ANALISTËT KURT BASSUENER DHE TONY VOGEL

18.03.2019 19:41:18

Nga: Muhamet Hamiti

Idenë për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka shtyrë Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Kjo ide ka gjetur një mbështetës entuziast te Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për arsye ende të pashpjegueshme, shkruajnë Kurt Bassuener dhe Tony Vogel, bashkëthemelues të think tank-ut “Democratization Policy Council’ (Këshilli për Politikë të Demokratizimit) me seli në Berlin. Ata i bëjnë thirrje Kongresit Amerikan të shqyrtojë atë që e shohin si presion të administratës së Presidentit amerikan Trump, përkrahur nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ndaj Kosovës për të tënë në ujdi për shkëmbim të rrezikshëm të territoreve me Serbinë.
Autorët e këtij shkrimi nuk përmendin faktin se kohët e fundit Hashim Thaçi është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve, por për ‘korrigjim të kufirit’, që shumëkush e ka parë si eufemizëm për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në pajtim me idenë e moçme serbe për ‘përndarje kufitare’ (razgraničenje, siç e quajnë në serbisht bashkëpunëtorët e Millosheviqit, Presidenti serb Vuçiq dhe Ministri i Jashtëm i fqiut tonë verior, Ivica Daçiqi) ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, sepse Republikën e Kosovës nuk e duan shtet më vete.