Konjufca vlerëson lart rolin e Gjermanisë në konsolidimin e brendshëm institucional të...

Konjufca vlerëson lart rolin e Gjermanisë në konsolidimin e brendshëm institucional të Kosovës

09.01.2020 22:30:17

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Susanne Schütz, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane.

Sipas njoftimit për media, Schütz uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të institucionit më të lartë legjislativ të vendit, duke i dëshiruar atij suksese në detyrën e re institucionale.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Kosovës dhe Gjermanisë në të gjitha fushat, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij në të ardhmen.

Duke falënderuar diplomaten gjermane për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë për Kosovën, kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart rolin e Berlinit zyrtar si në konsolidimin e brendshëm institucional e demokratik të shtetit të Kosovës, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të tij.

Gjatë takimit Schütz shoqërohej nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Kristian Heldt.