Konsulentja politike, Podrimja: Në Gjermani shteti më ka integruar, institucionet duhet të japin kontributin e tyre për integrimin tonë në Kosovë (Video)

21.01.2019 23:29:07

Në emisionin “Përballje” është diskutuar për mundësitë për punësim dhe shkollim që kanë shqiptarët në Gjermani nëpërmjet migrimit të rregullt dhe legal.

Fëllanza Podrimja, në moshën dyvjeçare ka shkuar me familje në Gjermani dhe sot zhvillon një karrierë të suksesshme si konsulente për politikat e energjisë.

Podrimja, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se ka vështirësi për të huajtë në Gjermani për t’u punësuar apo shkolluar.

Ajo thotë se ky nuk është vetëm perceptim, por edhe ka hulumtime që vërtetojnë këtë fenomen.

“Janë bërë studime, se një emigrant që ka lindur dhe është shkolluar në Gjermani dhe ka gradën Master në këtë vend, për dallim nga Hansi [gjerman], dy herë më shpesh mbetet i papunë [krahasuar me kushte të njëjta me “Hansin”]. Po flasim për nivelin akademik. Ky nuk është perceptim, por janë shifra hulumtime të argumentuara”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Duke folur për integrimin në Gjermani, Fëllanza thotë se në fillim nuk e ka ditur që është një e huaj, por shumë shpejt e ka kuptuar.

“Në fshatin ku kam qëndruar ka pasur vetëm gjerman, dhe shumë shpejt e kam kuptuar se jam “ndryshe” nga ta”.

Podrimja më tej thotë se me kalimin e kohës kjo e ka pasur të vështirë edhe integrimin në shoqërinë kosovare, pasi ajo ishte larguar në moshën dy vjeçare.

“Një problem tjetër më është paraqitur, kur është dashur të integrohem në shoqërinë shqiptare”.

Shqiptarja e suksesshme në Gjermani, thotë se Kosova duhet të bëj më shumë për integrimin e mërgimtarëve, pasi në vendet ku ata tashmë jetojnë janë integruar falë institucioneve të avancuara shtetërore që ato vende kanë.

“Unë në Gjermani nuk kam më nevojë për ndihmën e Kosovës, sepse vetë Gjermania më ka integruar. Institucionet duhet të japin kontributin e tyre për integrimin tonë në Kosovë”, tha Podrimja.