Kontroll anti-eksploziv në ‘Loro Boriçi’

09.10.2016 18:28:16

1200 efektivë të RENEA-s, FNSH-së dhe Policisë Shkodër do të jenë të angazhuar në mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Spanjë që do të luhet sot në orën 20:45 në “Loro Boriçi”.

Disa orë para zhvillimit të ndeshjes, drejtuesit e policisë kanë zhvilluar një mbledhje në mjediset e brendshme të stadiumit, ku të pranishëm ishin shumë efektivë. Mbledhjen e gjatë nuk e kanë penguar as reshjet e shiut dhe as temperaturat e ulëta.

Më herët, policia kishte bërë kontroll të mjediseve të stadiumit me qen anti-eksploziv, ndërsa ka përfunduar takimi mes përfaqësuesit të UEFA-s dhe Policisë së Shtetit.

Njoftimi i Policisë

“Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për zhvillimin normal të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve Shqipëri-Spanjë. Në këtë kuadër, rreth 1280 forca policore, duke filluar me RENEA-n, FNSH-në e Policinë Vendore të Shkodrës janë angazhuar për mbarëvajtjen para, gjatë e pas përfundimit të aktivitetit.

Drejtori Niko Brahimaj ka bërë instruktazhin e Forcave të Lëvizjes Operacionale, drejtori i Rendit Publik, Gjovalin Loka, ka bërë instruktazhin e Policisë së Rendit. U bë kontrolli i ambienteve të stadiumit me qen antieksploziv. Përfundoi takimi mes përfaqësuesit të UEFA-s dhe Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe të pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarrëve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht”.