Korçë, arrestohet i dënuari për vrasje të mbetur në tentativë

14.01.2017 12:10:12

Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim i dënuar me 9 vjet, 8 muaj, e 18 ditë, për veprat penale: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Në pranga është vënë shtetasi Irja Rukaj, 51 vjeç, banues në fshatin Shqitas, Maliq.

Ndalimi i tij u bë në bazë të vendimit të formës së prerë me datë 6 nëntor 2016, të  Gjykatës Korçë, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 9 (nëntë) vjet, 8 (tetë) muaj, e 18 (tetëmbëdhjetë) ditë burg për veprat penale:  “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Ngjarja ka  ndodhur më datë 8 tetor 2015, në fshatin Shqitas, ku Irjat Rukaj, 50 vjeç, për motive të dobëta është konfliktuar me dy vëllezër, Sokol dhe Aurel Dinoshi, përkatësisht, 25 dhe 21 vjeç. Vëllezërit deklarojnë se janë qëlluar drejt për drejtë nga 50-vjeçari, të cilit i janë shmangur goditjes. Ata kanë mundur ti marrin armën Rukajt, e më pas e kanë goditur me thikë në trup dhe në kokë, duke i shkaktuar plagë trupore.

50-vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia i arrestoi të tre personat, dhe sekuestroi një armë gjahu model gjerman, një fishek, një gëzhojë, një thikë buke, si he një sëpatë të vogël që janë përdorur në ngjarje.

Mbi Irjat Rukajn rëndon akuza e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa për vëllezërit Dinoshi rëndon akuza e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.