Koronavirusi/ Altin Lala: Kam një apel për gjithë shqiptarët, ku ndryshojnë gjermanët nga italianët

18.03.2020 23:20:10

Në Hanover ku Altin Lala jeton, ende nuk kanë nisur masat drastike. Por edhe në Gjermani alarmi për përhapjen e koronavirusit ka rënë, e shpejt lëvizjet do kufizohen për qytetarët.

I pyetur nëse ish kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit ka frikë nga infektimi, ai u përgjigj se nuk shqetësohet për një arsye.

“Nuk kam frikë të them të drejtën, sepse përgjithësisht ky virus ka pasoja të rënda për personat në moshë të madhe, ose me ndonjë problem shëndetësor. Por ama i shqetësuar jam, sepse kemi të afërm dhe njerëz që i duam, të cilët janë të rrezikuar. Por kur bëhet fjalë për jetë njerëzish, natyrisht që duhet bërë kujdes për gjithçka. Ndaj kam një apel për të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe Kosovë: bëni kujdes, respektoni rregullat, qëndroni në shtëpi dhe bëni durim. Kështu mbroni veten dhe të afërmit!”, tha Lala për Panorama Sport.

Ai vuri në dukje faktin se gjermanët janë njerëz që kujdesen shumë për shëndetin.

“Vaksinohen sistematikisht që në shtator, para se të nisë sezoni vjeshtor kur ka më shumë viruse dhe kjo i ndihmon të kenë më pak problem. Më pak problem madje edhe se italianët. Edhe tani e kanë marrë me qetësi. Kanë kushte, është një vend i zhvilluar ku qytetarët e dinë se qeveria bën gjithçka mundet në situate të tilla.”

Lala theksoi se shpejt vaksina do të vijë nga Gjermania.

“Kam lexuar që kompania e presidentit të Hofenhaimit, Ditmar Hop, është drejt përsosjes së vaksinës kundër virusit COVID 19. Kompania e tij “Curavec” po bashkëpunon ngushtë me ministrinë e shëndetësisë në Gjermani dhe besoj shumë shpejt do të jetë në treg.”