Koronavirusi në Britani/ 621 viktima në 24 orët e fundit, 29 prej tyre pa sëmundje të tjera

05.04.2020 16:47:39

Është rritur me 621 numri i vdekjeve të koronavirusit në Britani këtë të diel, duke shkuar në total 4.934 raste. Ndërkohë 29 pacientë që kanë ndërruar jetë nuk kishin ndonjë sëmundje të mëparshme.

Mediat britanike shkruajnë se numri ka shënuar rënie pasi dje humbën jetën 708 persona. Departamenti i Shëndetësisë tha se numri i vdekjeve në spital të lidhura me koronavirusin ishte 4,934 tashme.

Departamenti i Shëndetësisë tha gjithashtu se janë testuar gjithsej 195.524 persona nga të cilët 47,806 kishin testuar pozitivë.

NĽ Uells kishte 12 vdekje të tjera të njerëzve që ishin testuar pozitivë për Covid-19, duke e çuar numrin e vdekjeve në vend në 166 vetë dhe në Irlandën Veriore numri i vdekjeve është rritur me shtatë të dielën, me totalin 63 të vdekur.

Ministrja e Parë skoceze, Nicola Sturgeon tha se edhe dy persona kanë vdekur pasi u testuan pozitivë për koronavirusin në Skoci, duke e çuar vdekjen totale atje në 220.

“NHS Angli” kishte 555 vdekje gjatë 24 orëshit të fundit, të pacientëve me Covid-19 në Angli. Viktimat ishin të moshës midis 33 dhe 103 vjeç.

Të dhënat dolën ndërkohë që Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se ishte mjaft e pabesueshme që disa njerëz ende nuk po ndjekin udhëzimet e qeverisë dhe theksoi se kërkesa për të mos dalë jashtë përveç në rrethana shumë specifike ishte e nevojshme.

Ai kritikoi banorët që kishin dalë për rreze dielli duke shkelur rregullat e bllokimit të koronavirusit dhe paralajmëroi se qeveria do të ndalojë të gjitha format e ushtrimit në natyrë, nëse një pakicë e vogël refuzon të qëndrojë në shtëpi.

Ndërkohë, edhe Kryeministri Boris Johnson përsëriti rëndësinë e qëndrimit në shtëpi të dielën duke shkruar: “E di që është e vështirë, por do të thotë shpëtim i jetës”.