Koronavirusi në Shqipëri/ Kuvendi pezullon punën e komisioneve parlamentare

11.03.2020 10:19:00

Situata e koronavirusit dhe shpallja e një gjendjeje alarmi të paktën deri në 3 prill ka bërë që Kuvendi i Shqipërisë të anulojë të gjitha mbledhjet e komisioneve parlamentare. Paraditen e kësaj të mërkure ishte planifikuar një mbledhje e Komisionit të Ligjeve, gjë që nuk ndodhi pas një vendimi për ta pezulluar, për shkak të masave në kuadër të mbrojtjes nga koronavirusi.

Gjithashtu edhe aktiviteti i komisioneve të tjera parlamentare është pezulluar deri në 3 prill, e njëjtë edhe për partitë politike. Lulzim Basha, kishte në axhendë disa takime, por për shkak të situatës është tërhequr.

Edhe Taulant Balla ka njoftuar se socialistët nuk do të kenë asnjë takim partiak deri në datën 3 prill, kur mendohet se mund të bjerë intensiteti i koronavirusit.

Ndërkohë, shkollat do të vijojnë të jenë të mbyllura deri në këtë datë, ashtu si edhe i gjithë sistemi parashkollor. Sipas autoriteteve shëndetësore, ka një masë drastike tashmë edhe për lokalet, që vijojnë të jenë të hapura.