Korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi, ‘shpërthen’ Bushati: Sharlatanë me harta

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar për gazetën Koha Ditore se termi “korrigjim i kufijve” nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare, ndërsa ata që përdorin këta terma ai i ka etiketuar si “sharlatanë me harta”.

“Unë nuk e kuptoj çfarë do të thotë fjala korrigjim i kufijve. Jam lodhur dhe nuk kam gjetur asnjë përkufizim në të drejtën ndërkombëtare, sepse nuk ekziston. Pra, në të drejtën ndërkombëtare flitet për procesin e delimitimit, që është procesi i përcaktimit të kufirit”, saktësoi Ditmir Bushati.

Për ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, kjo është një çështje delikate, vendimtare dhe përcaktuese për fatin e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, ajo po trajtohet me intensitet nga partnerët tanë, pasi iu dha një zgjidhje sherrit prej 3 dekadash mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, shkruan sot Koha Ditore. Për ish-ministrin e Jashtëm, faktori politik në Kosovë ka qenë i përçarë më shumë se kurrë. Bushati ka thënë se këtë gjë nuk mund ta riparojë Tirana zyrtare.