Korrigjimi i kufijve nëpër binarë të trenit!

29.08.2018 09:09:08

Nga Sevdail Hyseni

Kohëve të fundit, nga politikanë të papërgjegjshëm dhe analistë të pavetëdijshëm, po ngrihet shumë pluhur rreth idesë së Presidentit Thaçi, që përmes korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ta çoj Luginën e Preshevës, në dyert e bisedimeve të Brukselit.
Ideatorit të kësaj nisme, kumbarës së korrigjimit të kufijve, Presidentit Thaçi, po i dalin përpara opsione të ndryshme kinse për “ndarje” , “shkëmbim” e “bashkim” territoresh, të cilat njeriu i parë i Kosovës, i quan hiç më pak se “lajme të rreme!”. Ai, u desh të përsëris disa herë, në rrjetin e tij social se Facebook, se “nuk do të ketë ndarje, po bashkëngjitje të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si tërësi me Kosovën”.
Po kujt tu drejtohet se?!
Atyre që sa do pak dinë për “Rezistenca e armatosur të shqiptarëve vullnetarë të Kosovës Lindore përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, me theks të veçantë lufta e përgjakur, më 19 nëntor 1944, në ditën e festës së Bajramit në Preshevë”.
Nga kujtesa historike e atyre zhvillimeve luftarake në mbrojtje të kufirit, ka pasur, qysh atëherë, pazare edhe nga ana tjetër e atyre sllavo-komuniste rreth Hekurudhës ka shkon treni Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, deri në Ristoc, të cilët thoshin: “Jedna šina je naša” (Një binar është i joni).
Luftërat e përgjakshme të dikurshme dhe ato politike të ditëve të sotme, bëhen për territoret gjeostrategjike dhe gjeopolitike të Luginës së Preshevës, nëpër të cilën kalon Hekurudha ndërkombëtare dhe Korridori 10, që lidhin Evropën me Azinë.
Investimet e mëdha që po zhvillohen viteve të fundit në rikonstruimin e hekurudhës në dy pjesë të jugut: Vranjska-Banjë-Ristoc dhe Bujanoc-Bukuroc, nga tre pjesët e hekurudhës evropiane në Korridorin 10, projekti kushton me miliona miliona dinarë të financuara nga kredia ruse, tregon rëndësinë strategjike të Luginës së Preshevës, për pjesëmarrje në bisedimet e Brukselit.
Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës, janë dy skajet e litarit, apo si dy binarët e trenit, që do të tërhiqen nga ekipet negociatore midis Prishtinës dhe Beogradit, në Bruksel, në stilin e lojërave pa kufij, e që do të marrin epilogun e tyre, kur ta kuptojnë se pa zgjidhjen e qëndrueshme të tyre nuk ka rehati, paqe e stabilitetit për shumë vjet me radhë!. Sa më shpejt, aq më mirë!
Si do që të jetë korrigjimi i kufijve, midis Prishtinës dhe Beogradit, karshi çdo opsion tjetër, për momentin, sa do që llogaritet nga disa si i rrezikshëm e me pasoja tragjike, duket të jetë është më i kapshëm, më i arsyeshëm dhe më produktiv.