Korrupsioni si kancer: politika, biznesi, shoqëria civile dhe mediat

22.08.2016 12:25:01

Nga Rexhep Kastrati

une

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden, korrupsionin e ka quajtur kancer, duke e vënë kështu në pah rëndësinë që ka luftimi i kësaj dukurie të rëndë për një shoqëri. Jo vetëm pse e ka thënë Xho Bajden, por edhe teorikë të ndryshëm, kanë konstatuar se korrupsioni është një ndër dukuritë më të këqija dhe më të dëmshme për një shoqëri, e që në shtete në tranzicion, zakonisht ndërlidhet me krimin e organizuar. Edhe Kosova nuk ka pasur se si të shpëtojë nga korrupsioni dhe nga krimi i organizuar, sidomos kur kihet parasysh shfaqja e një grupimi, për të mos thënë shtresë, e cila e konsideronte veten të privilegjuar dhe meritore për lirinë e Kosovës.

Disa komandantë, disa të vetëquajtur të tillë, dhe disa të ashtuquajtur të tillë, i dhanë vetes të drejtë që të plaçkitin, të uzurpojnë pronën shoqërore dhe publike, dhe të ndërmarrin veprime biznesi dhe tregtie që mundësuan monopole dhe priviligje të ndryshme. Dhe baza e korrupsionit dhe të krimit të organizuar duhet kërkuar pikërisht këtu, sepse ky grup i të privilegjuarve, apo i të vetëprivilegjuarve në emër të luftës çlirimtare, u imponuan edhe në politikë, duke bërë bashkë kështu fuqinë e biznesit dhe fuqinë politike, me të cilat jo vetëm që korrupsionin dhe krimin e organizuar i bënë mënyra të veprimit, por edhe amortizuan isntitucionet përkatëse të shtetit që mund të merreshin me luftimin e këtyre dukurive shumë të rënda. Korrupsioni dhe krimi i organizuar u bënë sekrete publike, për të cilat dinin të gjithë, por që nuk guxonte të hapte gojën kush. Në këtë mënyrë, ishte e qartë se as që mund të bëhej fjalë për luftim të korrupsionit apo të krimit të organizuar, por bëhej fjalë për dukuri të shndërruara në sistem, me të cilin ose duhej të përshtateshe, ose të ballfaqoheshe me pasoja.

Edhe të ashtuquajturat OJQ, apo shoqëri civile, ishte korruptuar dhe vepronte në kuadër të sistemit dhe praktikës korruptive. Shumica e OJQ-ve dhe e të ashtuquajturës shoqëri civile janë të korruptuara dhe të përfshira në skemat për krijimin e alibive të korrupsionit. Edhe kur flasin për korrupsionin, flasin në mënyrë korruptive të motivuar nga interesa të grupeve, klaneve dhe faktorëve të tjerë korruptivë. Rrallë ka ndodhur që korrupsioni të trajtohet si dukuri në plotninë e saj, por janë marr aspekte të veçanta që prekin palë të caktuara, por mbulojnë palë të tjera. Për krimin e organizuar as që kanë guxuar të flasin, dhe si sintagmë terminologjike është futur shumë vonë në fjalorin terminologjik të diskurseve të ndryshme publike. Jnaë vrarë personalitete të rëndësishme politike, ushtarake dhe medatike, dhe asnjëherë nuk është mbajtur qëndrim i duhur kundër, sikurse nuk janë trajtuar kurrë si pjesë të krimit të organizuar.

Në gjithë këtë sistem korruptiv, kur korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë imponuar gjithçka, që kanë eliminuar edhe format e ndryshme të kundërvënies, mediat nuk kanë bërë fare përjashtim. Përkundrazi, në Kosovë është krijuar një korpus mediash, portalesh dhe formash tjera publike, të cilat kanë bërë avokatinë e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Në fakt, raporti i medias me biznesin dhe politikën, për të cilin ka shkruar edhe Mkas Dojç, në Kosovë është paraqitur shumë më i vrazhdtë, shumë më shtypës, shumë më korruptues dhe shumë më shumë i inkriminuar. Janë këto media, portale etj., që në mënyrë të hapur kanë zhvilluar fushata primitive kundër linjës institucionaliste të presidentit Rugova, dhe kanë afirmuar linja të trilla si linja e Tiranës/Kretës, e cila mban monopolet e korrpupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe linja udbasho-jugosllavokomuniste që mban monopolet mediatike dhe ka vepruar në bashkërendim me linjën e Tiranës/Kretës. Janë këto media dhe portale, të cilat kurrë nuk kanë shprehur qëndrime për vrasjen e politikanëve, ushtarakëve, dhe gazetarëve, dhe kurrë nuk i kanë quajtur si krim të organizuar dhe krim politik. Po të bëhet ndonjë hetim profesional, shumica e mediave dhe e portaleve do të dilnin deri në fyt të zhytura në korrupsion, për të mos thënë edhe në krim të organizuar.

Korrupsioni, por edhe krimi i organizuar vërtet po dalin se janë kancer për Kosovën, pasi që në të janët përfshirë edhe segmente të politikës, të biznesit, të shoqërisë civile, të mediave etj., të cilat i kanë mbajtur më këmbë dhe po përpiqen t’i mbajnë më këmbë këto dukuri të rënda për shoqërinë dhe për Kosovën. Dhe këtë po përpiqen ta bëjnë në forma dhe mënyra sa të sofistikuara, aq edhe të hapura. Dhe kjo po bëhet duke mos e trajtuar si duhet as korrupsionin, as krimin e organizuar, por gjithnjë duke e trajtuar në mëynrë korruptive, klienteliste dhe paragjykuese. Dhe kjo bëhet më e qartë kur trajtimi i tyre po bëhet nga po ato segmente të korruptuara që e kanë instaluar, e kanë fuqizuar dhe e kanë kthyer në sistem korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në fakt, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është shndërruar në një mekanizëm për të nxitur forma jashtinstitucionale të veprimit, për të frymëzuar veprime anarkiste dhe destabilizuese, ashtu edhe siç kanë bërë edhe më parë. Dihet botërisht se e ashtuquajtura shoqëri civile dhe korpusi i mediave dhe i portaleve ka qenë tepër shumë përfshirë në angazhimet anarksite dhe destabilizuese gjatë vitit të kaluar dhe muajve të të parë të këtij viti nëpërmjet paraqitjeve afirmative dhe mbshtetëse. Medie dhe portale, madje frymëzuan kalljen e institucioneve, kurse pjesëtarë të të ashtuquajturës shoqëri civile, bënin edhe frmyëzimin edhe alibinë e tyre. Studiot televizive dhe faqet e portaleve u bënë pjesë të makinerisë së luftës speciale kundër shtetit dhe institucioneve të tij.

Prandaj, duhet thënë qartësisht se korrupsioni dhe krimi i organziuar do të fillojnë të zbuten, të dobësohen vetëm kur të trajtohen profesionalisht dhe në trajtesa të përfshihen në plotninë e tyre, pra duke përfshirë edhe të ashtuquajturën shoqëri civile dhe korpusin mediatik dhe të portaleve.