Kosova bëhet me USHTRI!

14.12.2018 12:26:58

Kosova nga sot e ka Ushtrinë e saj. Deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë po transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosura.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 106 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim kanë miratuar Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 106 vota për miratuan Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky projektligj u votua me 45 amendamentet e propozuara.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me vota 105 pro votuan Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Këto tri ligje mundësojnë transformimin e FSK-së në Ushtri.

Me këto ligje parashihet që Forca e Sigurisë së Kosovës të zhvillohet si një forcë me kompetenca dhe detyra të reja, organizim dhe funksionim të ri dhe kalimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes.

1.- Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes – Më këtë Ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i MFSK-së në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi FSK-në me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Ministria e Mbrojtjes do të harton dhe zbaton politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivelin strategjik, si  dhe do të ushtron funksionet e kompetencat  e saj në përputhje me Kushtetutën.

Po ashtu, ky projektligj përcakton në mënyrë të detajuar edhe kompetencat e Ministrisë, kompetencat e Ministrit të Mbrojtjes e po ashtu edhe kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm.

2.- Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës – përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së , si forcë multietnike, profesionale,  e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe  interesave e Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

3.- Projektligji për Shërbimin në FSK – Ky projektligj rregullon  kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta,  paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

Ky projektligj përcakton kriteret e përgjithshme për shërbim, parametrat e shërbimit, kohëzgjatjen e shërbimit, zhvillimin e karrierës, ndërprerjen e shërbimit, statusin e pjesëtarit të FSK-së, të drejtat dhe detyrimet e pjesëtarëve dh çështje tjera në kuadër të shërbimit në FSK.

Është me rëndësi të theksohet se  në momentin e krijimit të rrethanave  të favorshme politike do të ndryshohet edhe emri përmes  procedurave të  ndryshimeve përkatëse kushtetuese.

Ndryshe, ditë më parë nga Amerika në Kosovë, kanë arritur 24 automjete ushtarake “Humvee”.

Këto automjete i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 7 milionë euro. Forcat e Kosovës do të kenë edhe 27 automjete të tjera “Humvee”, të cilat  janë donacion nga Ushtria Amerikane.