Kosova do të hapë Zyrën për Çështje Ekonomike në Athinë

22.09.2017 20:17:18

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Greqia do të forconte stabilitetin dhe paqen në rajon dhe do të promovonte perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Ai gjatë një takimi në New York me shefin e diplomacisë greke Nikos Kotzias, tha se Kosova shumë shpejt do të hapë Zyrën për Çështje Ekonomike në Athinë, e cila do të jetë katalizator i rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve respektive.

“Përkundër mungesës së njohjes, e vlerësojmë pozitivisht nivelin aktual të dialogut politik ndërmjet dy shteteve. Ne e kemi shprehur gatishmërinë tonë për të ruajtur e thelluar shkallën e arritur të bashkëpunimit politik duke vazhduar praktikën e takimeve dhe vizitave të niveleve të larta politike, të cilat kontribuojnë në ecurinë pozitive të marrëdhënieve tona fqinjësore dhe që nxisin bashkëpunimin dhe dialogun mes dy vendeve”, ka thënë presidenti Thaçi.