Kosova duhet të ndërrojë qasje në bisedimet me Serbinë pas deklaratës së kryeministrit serb

20.08.2016 22:36:36

Kosova  do duhej ndërronte qasjen e dialogut me Serbinë, dhe të përdorë edhe kartën për tërheqje nga dialogu nëse kjo është e nevojshme.

Pala kosovare duhet të vë  kushte për dialogun me Serbinë,  të imponojë pika në agjendën e bisedimeve dhe madje në raste ekstreme edhe të tërhiqet nga dialogu krejt.

Këtë gjë duhet ta bëjë sidomos pas deklarimit publik të kryeministrit serb Aleksandër Vuqiq se Serbia nuk do ta njoh asnjëherë shtetësinë e Kosovës.

Kështu vlerësojnë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analistë politikë, të cilët ritheksojnë nevojën e ndërrimit të formatit dhe kastës dialoguese nga ana e Kosovës.

Avni Mazreku ka deklaruar se nuk është BE-ja ajo që duhet t’i jap vërejtje kur njëra palë nuk tregohet konstruktive, por janë palët dialoguese ato që duhet formulojnë kërkesat favorizuese për vendet e tyre.

Mazreku ka shtuar se problemi kryesor i krejt procesit dialogues me Serbinë është se njerëzit që kanë përfaqësuar Kosovën kanë qenë gjithmonë të pa përgatitur, andaj edhe  nuk kanë arritur asnjë marrëveshje në dobi të  Kosovës.

Rëndësinë e ndryshimit të qasjes së dialogut dhe imponimin e agjendës përfshirë edhe mundësin e tërheqjes nga dialogu e ka theksuar edhe analisti Adrian Çollaku.

Ai ka thënë se vënia e kushteve nga ana e palës kosovare do ishte e dobishme, e në raste të caktuara ata do duhej shqyrtonin edhe tërheqjen nga procesi i dialogimit.