Kosova e pushtuar nga Serbia jo vetëm me mallra, por edhe me rekrutë shqiptarë të BIA-s

06.08.2018 20:18:33

Nga Rexhep Kastrati

Jo vetëm këtë vit ka dal se Serbia është shteti që eksporton më së shumti mallra në Kosovë, duke krijuar kështu një monopol të plotë në këtë drejtim. Kjo ndodh për shkak se biznese të rëndësishme në Kosovë, janë ose shoqëri aksionare me serbë nga Serbia, o kontrollohen nga strukura mafiozo-politike që bëjnë ligjin, sidomos në veri e gjetiu.

Janë përllogaritur shuma parash që dalin nga Kosova dhe shkojnë në Serbi, me çka po kontribuohet në gjallërimin e saj ekonomik, përkatësisht në afarizmin dhe rentabilitetin e firmave të ndryshme serbe.

Fatkeqësia, ndërkaq, nuk është vetëm në monopolin që Serbia ka në fushën e eksporteve ekonomike në Kosovë, por edhe në faktin se ajo kontrollon dhe industrinë farmaceutike në Kosovë, me çka po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës sonë, në cilësinë e shërbimeve dhe të barërave.

Në një rast tjetër, do të trajtoj më konkretisht monopolin dhe kontrollin që Serbia ka në industrinë faramceutike në Kosovë, e në të cilën janë të implikuar politikanë të fuqishëm të Kosovës, zyrtarë të ndryshëm shtetërorë etj.

Me këtë rast dua të vë theksin te kontrolli politik dhe agjenturor që Serbia ka mbi Kosovën, mbi institucionet e saj dhe mbi segmentet tjera shtetërore. Dhe kur them këtë nuk e kam fjalën vetëm në përcaktimet kushtetuese të sistemit jurdiko-kushtetues të Kosovës, e që serbëve u ka dhënë mundësi të mëdha kontrolli mbi shtetin tonë, por më tepër se kaq, e kam fjalën për rekrutë shqiptarë që janë bartës institucionesh të ndryshme, janë politikanë dhe punonjës në nivele të ndryshme të administratës shqiptare.

De facto, Serbia nëpërmjet këtyre njerëzve ka arritur të vëjë në kontroll të plotë Kosovën e dominuar pikërisht nga rekrutë agjenturash serbe dhe të shteteve aleate të saj, duke penguar funksionimin normal, konsolidimin e institucioneve dhe duke e dëmtuar keqas imazhin e Kosovës në botë.

Këtë kontroll, Serbia ka arritur ta bëjë vetë nëpërmjet agjenturave të saj, por edhe me ndihmën e shteteve të saj aleate, sidomos me ndihmën e DGSE-së franceze, por edhe të FSB-së ruse, dhe jo vetëm të këtyre.

Veturat zyrtare të shtetit të Kosovës, të cilat kalojnë me përparësi kalimi, madje edhe të shoqëruara edhe me eskorta, nuk bartin vetëm zyrtarë të ndryshëm shtetërorë të niveleve të ndryshme, por edhe rekrutë dhe informatorë të BIA-s, të cilët kanë mision, përveç zbulim-kundërzbulimit, por edhe vështirësimin e dhe keqfunksionimin e institucioneve dhe të shtetit të Kosovës në përgjithësi.

Nëse me mallra, Serbia ka mundësi të helmojë qytetarët e Kosovës, me rekrutë të BIA-s dhe të agjenturave të tjera, e ka helmuar shtetin e Kosovës dhe e ka sjellë në kolaps politik dhe funksional.