“Kosova ka të drejtë ligjore të vendoset si komb sovran në listën e OKB-së”

20.07.2016 12:41:27

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë zhvilluar një takim me Dekanin, Prof. Dr. Adrien Wing dhe ligjëruesin Prof. Nathan Miller nga Universiteti i Iowas. Në këtë takim anëtarët e Komisionit parlamentar kanë kërkuar nga profesorët që Kosova të merr asistenca nga ky universitet.

Prof Miller, në adresimin e tij, ka thënë se Kosova juridikisht ka të drejtë të vendoset në listën e OKB-së si shtet sovran.

“Kosova mund të vendoset në listën e OKB-së si një komb sovran dhe në fakt ka një mënyrë si të bëhet kjo në aspektin ligjor. Ligjërisht kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe siç e kuptova është një proces në vazhdim mirëpo ne ishim në gjendje që të jemi të parët që të sjellim në vëmendje ministrit dhe është një fushë në të cilën do të jetë e mundshme. Ne kemi bërë një analizë të gjerë për rrugët ligjore për t’u bërë anëtar i OKB-së. Kosova edhe pa qenë anëtare e OKB-së, ka të drejtë plotësisht të anëtarësohet në shumë traktate shumëpalëshe. Ne po i shqyrtojmë rrugët që Kosova nëse vendos mund të bëhet pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare dhe që t’i sjell paditë aty drejtpërdrejt. Po analizojmë gjithashtu serinë e traktatit në Këshillin e Evropës për të përcaktuar që Kosova a mund të anëtarësohet a jo”, ka thënë Miller, raporton Kosovapress.

Ndërkaq, anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar që të ngrihet çështja e grave të dhunuara gjatë luftës në arenën ndërkombëtare.

“Mendoj që është njëra prej temave që ne bashkërisht duhet t’i gjejmë modalitetet. Tashmë e kemi ligjin për viktimat seksuale të dhunës gjatë luftës në Kosovë. Edhe pse nuk ka filluar ende përfitimi i tyre nga ligji, po punohet shumë nga Qeveria që të përfitojnë gjithë ato që ju garantohet me ligji. Ne kemi nevojë nga të gjithë miqtë e Kosovës që ta ngremë këtë çështje në arenën ndërkombëtare që të kërkohet drejtësi ndërkombëtare meqë ende nuk kemi asnjë të dënuar për krimin që është kryer në Kosovë”, tha Kodra.

Ndërsa, Puhie Demaku, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se kanë nevojë për bashkëpunim në diplomacinë parlamentare me profesorët e Universitetit të Iowas.

“Një nga aspektet që nuk është trajtuar mjaft është diplomacia parlamentare. Ndoshta në këtë drejtim mund të shohim se cilat janë mundësitë të bashkëpunojmë me juve. Të shohim se si mund të përforcojmë rolin e Parlamentit apo Kuvendit në punët e jashtme”, tha Demaku.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se Kosova ka mundësi të shkëmbejë përvoja në aspektin e kushtetutshmërisë.

Sipas tij, Kosova ka një kushtetutë pak më specifike.

“Përvoja juaj veçmas në aspektin e kushtetutshmërisë, nxjerrjes së kushtetutave dhe ndihma në shumë shtete na ndihmon ne që jemi shtet që edhe Kushtetuta jonë është më specifike edhe rrethanat që jemi formuar si shtet kanë qenë rrethana specifike falë rrethanave që u thanë këtu. Ne jemi shumë të interesuar që të punojmë shumë më tepër në forcimin e përvojave qoftë përmes komisioneve apo edhe të deputetëve”,tha Beqiri.

Profesoresha Adrien Wing, u ka premtuar anëtarëve të Komisionit se do t’i përcjellin edhe tek kolegët e tyre kërkesat e deputetëve në mënyrë që të përcaktojnë se në çfarë fusha ka nevojë për asistencë.

“Dëshirojmë që nga ky takim të kem një vazhdimësi për të diskutime me kolegët tonë në të gjitha fushat të cilat ju i përmendte për të përcaktuar se në cilat fusha duhet të përcjellim menjëherë. Në çfarë fusha do të na nevojitet asistencë nga pjesët tjera të universitetit tonë apo organizatave të tjera për të zbërthyer informacione të cilat sapo na jepet. Në aspektin e sigurisë ne i kemi sjell disa koleg nga Kosova në nëntor që të takohen me gardën e Iowa-së, duke përfshirë persona të cilët sapo janë kthyer nga Kosova. Ne jemi shumë krenar në aspektin sigurisë që kjo po vazhdon. Nuk është historike po është në vazhdimësi. Të drejtat e grave kanë qenë pjesë e punës në specializimin tim. Në aspektin e disa vendeve si dhe të drejtën ndërkombëtare si dhe kam shkruar një artikull në gjenocidin e Bosnjës dhe përdhunimeve në të drejtat ndërkombëtare në vi tin 1991. E kam përdorur atë në tribunalin e krimeve të luftës të ish-Jugosllavisë. Kështu që ne kemi kapacitete në çfarë do fushe apo çështje të grave pavarësisht në të drejtat ndërkombëtare apo në kudër të shtetit tonë“, tha Wing.

Ajo ka thënë se Universiteti i Lowa-së ka mbështetur dhe studentë nga Kosova.