Kosova me model për eliminimin e plastikës

06.02.2019 10:50:13

Për një mjedis të pastër dhe me qëllim të ruajtjes së ambientit në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të fillojë projektin e krijimit të sistemit të kthimit të depozitave, projekt ky i cili do të realizohet me përkrahjen GIZ-it Gjerman.

Shishet e plastikes, qelqit dhe kënaçet së shpejti do të përfshihen në një sistem të kthimit të tyre, në mënyrë që të mbrohet mjedisi, thanë për Radio Kosovën zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Leotrim Sahiti, këshilltar politik në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i tha Radio Kosovës së njëri nga problemet më të mëdha ambientale me të cilin po ballafaqohet vendi, është plastika. Sahiti tha se me anë të projektit për kthimin e depozitave, nga konsumatorët do të kërkohet kthimi i shisheve, që ato të riciklohen. Sahiti tha se për këtë projekt kanë marrë model shtetin e Estonisë.

“Është fillimi i krijimit të dokumenteve strategjike, që do të përfundojë gjatë këtij viti, e pastaj projektligji të procedohet në Qeveri dhe në Kuvend. Plani është që implementimi të fillojë vitin e ardhshëm, thotë Sahiti.

Ai tutje tha se plastikës i duhet qindra vite për t’u shpërbërë në natyrë, e që është shumë e dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin në përgjithësi. Sahiti theksoi se duhet edhe përkrahja e bizneseve për ta implementuar këtë projekt.

Një bashkëpunim i mirë me bizneset duhet, sepse kthimi i shisheve duhet të bëhet në qendrat tregtare dhe në marketet e Kosovës. Dhe për secilën shishe të kthyer, do të këtë edhe një shumë që do të përcaktohet nga MMPH dhe nga Qeveria e Kosovës.

Sahiti tha se bashkëpunimi do të jetë edhe me komunat, duke marrë parasysh që komunat janë përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave.