Kosova me politikanë dhe me diplomaci të paaftë po ia lehtëson punën Serbisë

31.01.2018 11:38:42

Nga Rexhep Kastrati

Behxhet Pacolli ka shprehur shqetësimin për faktin se Serbia po lobon te shtetet e ndryshme për të tërhequr njohjet e shtetit të Kosovës, ndërkohë që ka shtete që tashmë e kanë bërë këtë.

Edhe pse është zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, megjithatë nuk dua ta bëj përgjegjës për këtë z. Pacolli, pasi që lobimi i Serbisë nuk lidhet drejtpërdrejt me ardhjen e tij në këto pozita, por megjithatë duhet theksuar se ai krenohej me lobimin e tij që bënte për njohjen e pavarësisë së Kosovës kur nuk kishte asnjë pozitë shtetërore.

Gjatë viteve kur nuk kishte asnjë pozitë shtetërore, por megjithatë lobonte te shtete të ndryshme për ta njohur Kosovën, z. Pacolli nuk shihte fare, ose nuk përbënte shqetësim veprimtaria lobuese e Serbisë për ta dëmtuar Kosovën dhe për të penguar njohjet e saj, kurse tash që është në postin e dytë më të rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës, dhe udhëheqë diplimacinë, është i pafuqishëm të pengojë efektet e dëmshme të lobimit serb.

Dhe është i pafuqishëm se as në njohjet e pavarësisë së Kosovës, e as tash në mundësinë e tërheqjes së njohjeve, nuk ka pasur ndonjë ndikim Kosova, as z. Pacolli, por të gjitha njohjet kanë ardhë si rezultat i angazhimit diplomatik të SHBA-ve.

Kurse suksesi i diplomacisë serbe kundër Kosovës, është jo vetëm meritë e diplomacisë ruse, e as jo vetëm e diplomacisë së shteteve aleate të saj, por edhe si pasojë e klasës politike injorante dhe të kontrolluar nga strukura mafiozo-politike të dirigjuara nga Beogradi dhe nga qarqe agjenturore kundërshqiptare. E duhet ta pranojmë se klasën politike të Kosovës, korpusin medietik dhe të ashtuquajturën shoqëri civile, e kontrollojnë agjentura kundërshqiptare qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet mafias.

Zhvillimet e viteve 2015-2016, që u sinkronizuan dhe u bashkërenduan me Serbinë, Rusinë dhe me shtete aleate të tyre, ishin goditje e fortë për procesin e konsolidimit të shtetit ligjor në Kosovë, i funksionimit demokratik të institucioneve dhe i imazhit të saj në botë, dhe patën ndikim shumë të fuqishëm në dështimin e angazhimit të fuqishëm të SHBA-ve për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Raporte të ndryshme ndërkombëtare, një nga faktorët kryesorë për dështimin e pranimit të Kosovës në UNESCO konsderonin veprimet destruktive, anarkiste dhe të dhunshme të opizitës së atëhershme, e që në fund doli ashiqare se ishte një bashkërendim me PDK-në dhe me Beogradin.

Behxhet Pacolli duhet të jetë në përgjegjësinë institucionale dhe të flasë hapur për këto arsye që po bëjnë të ketë sukses diploamcia serbe kundër Kosovës, e të mos qahet si qaraman, dhe as të mos krekoset si gjeldeti se po të mos ishte partia e tij nuk do të kishte Qeveri të Kosovës.

Duhet të kujtojmë se diploamcia e Kosovës vazhdimisht ka qenë e dobët, inerte, e paaftë dhe ka vuajtur problemet dhe zhvillimet e dëmshme të sektorëve të tjerë, kurse në fushën e njohjeve ka dështuar plotësisht, por ajo për çka ka nevojë vendi është që bartësit e institucioneve, sidomos z. Pacolli, të dalin me analiza të qarta dhe objektive për shkaqet e dështimit diplomatik të Kosovës dhe mbi bazën e tyre të jepen edhe rekomandime se si mund të përmirësohet gjendja.

Në të kundërt, vendi mund të zhytet më thellë në kaos dhe në gjendje të rrezikshme, duke e bërë më të lehtë edhe ofensivën diplomatike të Serbisë kundër Kosovës.

Gjithsesi me këtë klasë politike të korruptuar, të shantazhuar, të paaftë dhe në duar të agjenturave të ndryshme, është vështirë e besueshme se mund të bëhen ndryshime pozitive dhe të pengohet devalvimi diplomatik i Kosovës.