Kosova në Azerbajxhan për fitoren e parë zyrtare

07.09.2018 19:00:50

Edicioni i eliminatoreve të “Rusi 2018” ishte i pari aktivitet zyrtar për Përfaqësuesen e Kosovës, e cila përtej lojës së mirë, tregoi mungesë eksperience dhe regjistroi rezultate për t’u harruar.

Por tashmë skuadra drejtohet nga një trajner me eksperiencë ndërkombëtare si Bernard Challandes, ndërsa lojtarët luajnë në skuadra europiane dhe vijnë me një përvojë dukshëm më të madhe.

Miqësoret e 2018-ës kanë qenë mjaft shpresëdhënëse për Kosovën, që është gati të startojë sot në orën 18:00 nga Azerbajxhani, aventurën në Ligën e Kombeve.

Me një brez lojtarësh të talentuar, shto edhe shumë të tjerë me eksperiencë, Kosova do të synojë të marrë fitoren e parë në një ndeshje zyrtare, pikërisht në transfertën azere.

Krahas Azerbajxhanit, Kosova ka në grup edhe Maltën e Ishujt Faroe, ndërsa synimi është që të dalë si kokë grupi, për të synuar ngjitjen në një Ligë më lart.

Sfida do të startojë në orën 18:00, ndërsa Supersport 3 do të nisë maratonën e transmetimit që në orën 16:30 me emisionin “Dardanët”, që do të sjellë atmosferën para ndeshjes dhe do të vijojë më pas deri rreth orës 21:00 me intervistat e protagonistëve.