KOSOVA NJË HAP MË AFËR REGJIMIT PA VIZA

30.08.2018 22:08:53

Me 30 vota për, 10 vota kundër dhe dy abstenime, Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ‘LIBE’ ka rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Deputeti Igor Šoltes (Grupi i të Gjelbërve/EFA), Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, komentoi pas votimit:

“Urime për qytetarët e Kosovës! Jam shumë i kënaqur me vendimin e sotëm të Komisionit ‘LIBE’, që tregon qartë se ka një vullnet politik në Parlamentin Evropian për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj për regjimin pa viza. Rezultati i sotëm është një hap i madh përpara drejt lirisë së lëvizjes, që është një nga parimet themelore të BE-së. Shpresoj se udhëtimi pa viza së shpejti do të bëhet realitet për qytetarët e Kosovës. Megjithatë, disa hapa të rëndësishëm janë ende përpara nesh. Së pari, mandati duhet të konfirmohet në seancën plenare nga Parlamenti Evropian dhe pres që kjo të bëhet me shpejtësi. Votimi vendimtar do të jetë në Këshill. Unë sinqerisht shpresoj se vendet anëtare do të ndjekin shembullin e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Është koha që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të njëjtat mundësi dhe të marrin trajtimin e njëjtë si fqinjët e saj. Kjo nuk duhet të shtyhet tani që është vërtetuar se kërkesat janë plotësuar dhe gjithashtu pasi komisioni ‘LIBE’ sot dha dritën jeshile”, thuhet në deklaratën për media të raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën.