Kosova nuk bind, por merr një pikë në Azerbajxhan

07.09.2018 20:12:24

Kosova merr një barazim me shumë vlera në sfidën e parë të grupit 3, në Ligën D të Ligës së Kombeve. Në Baku përballë Azerbajxhanit vendasit kundërshtarit direkt për vendin e parë në grup, Kosova barazoi pa gola 0-0, duke marrë një pikë në transfertën azere. Ishte një ndeshje deri diku e barabartë me raste sporadike nga të dy krahët.

Në pjesën e parë shanset më të mira i krijuan dardanët në minutat e fundit fillimisht me një tentativë nga distanca të Celinës dhe më pas me një goditje me kokë të Muriqit, por të dyja tentativat përfunduan jashtë. Në fraksionin e dytë formacioni i drejtuar nga trajneri Bernard Chalandes i kushtoi më shumë rëndësi fazës mbrojtëse. Rastin më të rrezikshëm për skuadrën vendase e krijo braziliani i natyralizuar azer Richard Almeyda.

Në fund Kosova u largua nga Baku me një pikë të rëndësishme përballë kundërshtarit më të rrezikshëm në grupin 3. Nëse Kosova merr maksimumin ndaj Ishujve Faroe dhe Maltës dy kundërshtarëve të tjerë në grup, Azerbajxhanin do ta presë në shtëpi në ndeshjen e fundit për të tentuar vendin e parë.