Kosova nuk është e prekur nga koronavirusi, rezultati i pacientes është negativ

09.02.2020 11:25:21

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka pranuar se në Klinikën Infektive është shtruar një paciente, e cila mund të jetë e prekur nga koronavirusi. Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati ka dalë negativ.

Drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka njoftuar se pas testeve të bëra në Institutin Kombëtar, ka rezultuar se pacientja nuk është e infektuar me koronavirus.

Gjatë një konference të mbajtur në pak qaste më parë në IKSHPK, Ramadani ka thënë se pas tre testeve të kryera në laboratorin e Institutit Kombëtar, testet kanë dalur negative ndaj koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë, mjekët e Klinikës Infektive në QKUK dhe IKSHPK-së, kishin njoftuar në konfrencën e parë të mbajtur sonte se një pacientja është duke u trajtuar në Klinikën Infektive nën dyshimin se mund të jetë prekur nga koronavirusi.

Në konferencën urgjente të mb ajtur në Klinikën Infektive, ministri Arben Vitia ka pohuar se bëhet fjalë për një shtetase nga Britani e Madhe, e cila punon në Kosovë, e cila dyshohet se mund te jetë infektuar në një qendër skijimi.

“Bëhet fjale për një shtetase të huaj, e cila punon në Kosovë, e cila ka qenë në një qendër skijimi, e në atë qendër kanë qenë edhe pesë persona të tjerë të infektuar. Dhe pasi ka dëgjuar se kanë qenë pesë persona të infektuar dhe pas disa simptomave, me një kollë e lehtë, por pa temperaturë dhe simptoma tjera, është alarmuar dhe ka ardhur diku pas orës 17:00 në Klinikën Infektive për të bërë kontroll. Rezultatet jemi duke i pritur… Është marrë mostra dhe pritet diku rreth orës 11:00 ose dhe 12:00, në mesnatë që të del rezultati. Sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë rezultat pozitiv, edhe pse jemi duke i pritur nuk ka nevojë për asnjë panik”, tha Vitia.