Kosova rrezikon të humbasë rreth 300 milionë euro

Kosova rrezikon të humbasë rreth 300 milionë euro

22.05.2020 17:11:16

Kosova rrezikon të humbasë miliona euro kredi nëse nuk arrin që të ratifikojë në Kuvend marrëveshjet të cilat janë negociuara nga Qeveria e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe mekanizmat ndërkombëtarë financiarë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dërguar Radios Evropa e Lirë, totali i marrëveshjeve të cilat duhet ratifikuar në procedurë të përshpejtuar përfshinë pesë marrëveshje kredie në vlerë 228.1 milionë euro dhe dy marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë 61 milionë euro.

Vlera e këtyre shtatë marrëveshje kap shumën e 289.9 milionë euro.

Marrëveshjet për kredi të cilat kërkojnë ratifikim në Kuvend nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën e krijuar nga pandemia COVID 19, por janë edhe marrëveshje tjera për projekte që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza.

Për përballimin me situatën e krijuara nga COVID 19, shëndetësore dhe ekonomike, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve janë pesë marrëveshje në vlerë prej 253 milionë euro.

Nga pesë këto marrëveshje, thotë Shahini, vetëm një është dërguar në kuvend për ratifkim, të tjerat janë duke u negociuar ose nuk janë nënshkruar.

Nuk ka para pa ratifikim të marrëveshjeve në kuvend

Marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Kosovës, sipas Kushtetutës duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nga Qeveria në detyrë janë proceduar në Kuvend disa marrëveshje ndërkombëtare.

Një nga këto marrëveshje të proceduara në Kuvend është Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.

Ndërkaq, marrëveshjet tjera të cilat janë dërguar në kuvend kanë të bëjnë me projekte të tjera të cilat nuk lidhen me situatën e krijuara nga pandemia COVID 19.

Por, këto marrëveshje Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk po arrin t’i vë në rend dite në një nga seancat e kuvendit.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e fundit ka caktuar datën 4 qershor si datë të mundshme për mbajtjen e një seance, por nuk është e sigurt nëse në rend dite do të jenë në diskutim marrëveshjet ndërkombëtare financiare, pasi që deri më 4 qershor, pritet të mbahet edhe një takim i Kryesisë së Kuvendit.

Çdo marrëveshje duhet të votohet me dy të tretat e votave

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pas një takimi të Kryesisë së Kuvendit të mbajtur gjatë kësaj jave ka thënë se nuk ka konsensus mes partive politike parlamentare që këto marrëveshje të procedohen në Kuvend.

“Sugjerimi im është që me këto marrëveshje ndërkombëtare të shkojmë përpara. Ka pasur mirëkuptim nga disa (grupe parlamentare), por për fat të keq pasi marrëveshjet kërkojnë dy të tretat nuk ka aq disponim që ato të procedohen menjëherë”, ka thënë Osmani.

“Ka gatishmëri nga disa grupe parlamentare që të ulemi dhe të gjejmë një mundësi dhe të mos bllokohen këto marrëveshje ndërkombëtare pasi që disa nga to kanë afat të caktuar brenda të cilit mund të përfitojmë fonde”, ka shtuar ajo.

Një nga këto marrëveshje të cilat kanë afat caktuar dhe duhet aprovuar para datës 30 qershor, sipas Ministrisë së Financave është marrëveshja me Bankën Botërore në vlerë prej 25.1 milionë euro, e që ka të bëjë me një projekt për furnizim me ujë të pijshëm në Gjilan.

Bedri Hamza, anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se PDK nuk do të pengojë në asnjë formë ratifikimin e këtyre marrëveshjeve financiare ndërkombëtare.

“Sigurisht në momentin që këto marrëveshje vendosen në rend ditë për ratifikim unë në parim po e thëm që ne jemi pro, përjashtim të ndonjë çështje specifike që duhet shikuar me kujdes pasi që edhe pjesa dërmuese e këtyre marrëveshjeve nuk janë para falas, por janë kredi që Kosova është e detyruar t’i kthejë dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ngarkohen gjeneratat e ardhshme”, thotë Hamza.

Ai bën të ditur se shumica e marrëveshjeve që janë duke u finalizuar sa i përket pjesës teknike një pjesë e madhe e janë si rezultat i punës që kanë ndodhur në qeverinë paraprake të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Relacionet qeveri – kuvend, të vështirësuara

Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë, se duhet gjetur një zgjidhje më të shpejtë politike që marrëveshjet të ratifikohen.

“Relacionet që janë krijuar mes kuvendit dhe qeverisë po pengojnë këtë proces. Kuvendi nuk po pranon që të merr asnjë obligim, pra këtu ka mbetur procesi. Në këto rrethana pa pas një qeveri e cila bashkëpunon me Kuvendin dhe pa u siguruar dy të tretat e votave një pjesë e këtyre fondeve rrezikohen të humbin”, thotë Krasniqi.

Kontestohet negocimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga qeveria në detyrë

Por, siç thotë analisti Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, qeverisë në detyrë mund t’i kontestohet negocimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.

“Në aspektin kushtetues dhe ligjor nuk ekziston asnjë dispozitë e cila ja ndalon qeverisë që të ndërveproj me Kuvendin. Por, problemi tjetër aktual është interpretimi që është bërë nga një pjesë e partive parlamentare të cilat me të drejtë kanë ngritur në diskutim tek mungesa e legjitimitetit që ka qeveria në detyrë për të hyrë qoftë në marrëveshje ndërkombëtare me palë të tjera në emër të Kosovës derisa e njëjta është shkarkuar nga ana e Kuvendit”, thotë Cakolli, për Radion Evropa e Lirë.

Faktori ndërkombëtar kërkon ratifkim të shpejtë të marrëveshjeve

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, krerët e misioneve të BE-së, ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar, kreu i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, kanë bërë thirrje për ratifikimin e marrëveshjeve të negociuara financiare me BE-në, shtetet e saj anëtare dhe institucionet ndërkombëtare financiare.

“Ne besojmë se në këtë kohë të paqartësive të mëdha, të gjitha palët duhet të lënë anash dallimet dhe të punojnë së bashku në të mirë të njerëzve”, është thënë mes tjerash në një deklaratë nga institucionet e lartpërmendura.