Kosova shënon 735 të infektuar dhe 20 të vdekur nga koronavirusi!

26.04.2020 09:06:05

Që nga data 13 mars, deri më tani, Kosova aktualisht shënon 735 raste gjithsej si të infektuar me koronavirus.

Derisa numri i të shëruarve nga COVID-19 në vend, është 165.

Sipas raportimeve ditore të IKSHP-së dhe Klinikës Infektive, numri i atyre që kanë ndërruar jetë nga ky virus, është 20.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Kosova shënoi edhe 28 raste të reja me koronavirus.

Raporti i plotë i IKShP-së:

Sot më 25 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 292 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej njëzet e tetë (28) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, katërmbëdhjetë (14) raste me vendbanim në Rahovec, katër (4) raste me vendbanim në Gjilan, dy (2) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: një (1) rast Pejë dhe një (1) rast Bllagajë), dy (2) raste nga komuna e Kaçanikut (sipas vendbanimit: një (1) rast Runjevë dhe një (1) rast Dubravë), dy (2) raste me vendbanim në Lladrovc-Malishevë, dy (2) raste me vendbanim në Zhur-Prizren, dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Prishtinë dhe Gurrakoc-Istog.

Sot më 25 prill 2020, janë shëruar edhe tre (3) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e gjashtëdhjetë e pesë (165) raste.

Sonte më datë 25 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një (1) rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 73 vjeç me vendbanim në Pjetërshticë-Shtime dhe e konfirmuar me COVID-19 me datë 16.04.2020. Pacientja është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 20.04.20 si dhe ka patur sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga data 08 shkurt deri më 25 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.182 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e tridhjetë e një (731) raste, ndërsa gjithsej njëzet (20) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.