Kosova t’i kthehet trashëgimisë së Atit Themeltar,Ibrahim Rugovës

21.01.2019 09:36:08

Nga Muhamet Hamiti

Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë sot 13 vjet, më 21 janar 2006, ditë e shtunë, pak para mesdite, ndërsa u varros me nderime të mëdha, me pjesëmarrje në funeral shtetëror të Kosovës, që s’qe bërë ende shtet, të qindra-mijëra njerëzve e shumë dinjitarëve nga bota pesë ditë më vonë, më 26 janar, një ditë acari të fortë.Ibrahim Rugova, mbas një jete si krijues letrar për njëzet vjet, krijoi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë e parë jokomuniste në Kosovë, në fund të vitit 1989, dhe u bë ati themeltar e burrështetasi i parë i Kosovës.Kosova e sotme, që po kalon një dimër të pakënaqësisë popullore e të mërzisë, mund të gjejë shpëtim nëse i kthehet trashëgimisë së Atit Themeltar të Shtetit. Kjo nuk bëhet duke u thirrur në emër të Ibrahim Rugovës, siç po bëjnë sharësit e tij të djeshëm, pushtetarët e sotëm e rrethi i tyre, por duke ndërtuar shtet e shoqëri me vlera demokratike. Për vlera demokratike Kosova është në tatëpjetë këto dhjetë vjet të ekzistencës së saj si Republikë e pavarur e sovrane.