KQZ çertifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve: hapet rruga për krijimin e qeverisë...

KQZ çertifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve: hapet rruga për krijimin e qeverisë së re

28.11.2019 12:59:28

Çertifikohen rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Me këtë i hapet kështu rruga konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe krijimit të qeverisë së re.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pas gati dy muajsh çertifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, ku konfirmohet se lëvizja Vetëvendosja doli partia e parë fituese e zgjedhjeve. Mirëpo, ky subjekt politik që udhëhiqet nga Albin Kurti, ka nevojë për një partner qeverisës, sepse e vetme nuk mund ta bëjë qeverinë e re. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se vendimi për çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve erdhi “pas pranimit të konfirmimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe nga Gjykata Supreme se nuk kanë më ndonjë çështje për të shqyrtuar dhe vendosur”.

Në bazë të rezultateve të çertifikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosja fitoi 221.001 vota apo (26,270% – apo 29 deputetë), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet partia e dytë me 206.516 vota apo (24,548% me 28 deputetë), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është partia e tretë me 178.637 vota apo (21,234% apo 24 deputetë). Koalicioni AAK-PSD fitoi 96.872 vota apo (11,515% me 13 deputetë). Edhe koalicioni Nisma-AKR-PD tashmë zyrtarisht kaloi pragun zgjedhor duke marrë 42.083 vota, apo në përqindje (5,002% me 6 deputetë). 10 vende të rezervuara tashmë janë të listës Srpska, ndërsa, 10 vende pakicave të tjera. Kuvendi i Kosovës ka 120 vende.

Menjëherë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, i pari ishte ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, i cili kërkoi që sa më shpejt të mblidhet kuvendi për të formuar qeverinë. “I lumtur që kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, shpalli rezultatet finale të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit. Pas shumë vonesave, rinumërimeve dhe ankesave, Kuvendi i ri i zgjedhur i Kosovës do të duhej të mblidhej shpejt në mënyrë që qeveria e re të mund të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkroi Abbott.

Dy subjektet politike që dolën të parat në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosja si parti fituese dhe LDK, që e pason atë me një diferencë të vogël, që nga përfundimi i zgjedhjeve me 6 tetor po diskutojnë në kuadër të grupeve punuese për harmonizimin e programeve për krijimin e qeverisë së re. Të dy grupet thonë se tashmë mbi 80% kanë harmonizuar programin qeverisës.

Shumë shpejt qeveria e re

Lëvizja Vetëvendosja menjëherë pas çertifikimit të rezultateve, zgjedhjet e 6 tetorit i cilësoi të veçanta për faktin që siç thotë “kishte një garë të fortë ndërmjet kandidatëve për kryeministra”. “Këto zgjedhje janë karakterizuar nga gara e kandidatëve për kryeministra, si kurrë më parë. Këtë garë e ka fituar Albin Kurti. Madje për herë të dytë. Në vitin 2017 Albin Kurti ka marrë 143.621 vota, ndërsa kësaj radhe është votuar nga 183.952 persona, duke u bërë përfaqësuesi politik më i votuar në Kosovë qysh prej kur ka filluar aplikimi i sistemit zgjedhor me lista të hapura”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes duke bërë të ditur se të hënën pritet të nëshkruhet marrëveshja për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës”, thuhet në komunikatë.

Grupet punuese të Vetëvendosjes dhe LDK-së në harmonizimin e programit qeverisës janë dakorduar që ta ulin numrin e ministrive nga 21 sa ishte deri tash në 12 ministri. Në bazë të kushtetutës së Kosovës, së paku një ministri duhet t’i takojë pjesëtarëve të pakicave, në këtë rast serbëve të Kosovës. Nga serbët e Kosovës është e vetmja lista “Srpska”, që ka fituar 10 vendet e rezervuara për serbë në parlament dhe që do ta drejtojë një ministri.

Pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve radhën e ka konstituimi i Kuvendit dhe betimit që duhet bërë nga deputetët e rinj. Pastaj, Presidenti i Kosovës i kërkon partisë fituese të zgjedhjeve apo koalicionit pas-zgjedhor që duhet formuar me partinë fituese, nominimin e kandidatit të saj për kryeministër, i cili duhet të marrë të paktën 61 vota nga 120 vende në parlament në mënyrë që ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re. Pakicat kombëtare kanë 20 vende të garantuara në kuvend, ndërsa, në qeverinë e re të paktën një dikaster qeveritar duhet ti takojë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Sfida e parë: Dialogu me Serbinë

Qeveria e re e Kosovës si sfidë të parë do të ketë dialogun me Serbinë i ndërprerë tash e një vit më parë. Rifillimin e dialogut po e kërkojnë SHBA dhe Bashkimi Evropian. Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, ka thënë se qeveria e re duhet të ketë një qasje më proaktive në raport me dialogun me Serbinë për arritjen e një marrëveshje finale. “Pauza në dialog nuk i ka ndihmuar Kosovës në aspektin ekonomik apo pozicionin e saj ndërkombëtar. Kur ajo të formohet, qeveria e re duhet t’i japë një infuzion të ri negociatave me Serbinë. Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë prapa sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, por, siç tha edhe Përfaqësuesi Special, Matt Palmer së fundmi në Prishtinë, ne nuk mund të shohim një shteg për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar pa përfshirjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë në të” ka thënë ambasadori amerikan Philip Kosnett.