KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit

03.03.2021 17:06:37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër më 4 mars do të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për media.

Elezi ka shtuar se numërimi i fletëvotimeve nga diaspora është në përfundim e sipër.

“Jemi në përfundim të numërimit të fletëvotimeve nga diaspora, deri në orët e mbrëmjes numërimi i këtyre fletëvotimeve do të përmbyllet. Ju njoftoj se rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët do të shpallen nga KQZ ditën e enjte më 4 mars”, tha Elezi.

Ai shtoi se rezultatet përfundimtare, ndër tjerash, do të përfshijnë rezultatet për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në zgjedhje, dhe atë sipas vendvotimeve, qendrave të votimit, komunave dhe rezultatet e votave me kusht e atyre me postë.