KQZ publikon rezultatet e secilit kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit

16.06.2017 15:49:35

Nga sot deri nesër, pritet që secili kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit, mund t’i shohë format e rezultateve të kandidatëve nga secili vendvotim në tërë territorin e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se me qëllimin e rritjes së transparencës dhe besueshmërisë për këtë proces zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të publikojë në faqen zyrtare të gjitha kopjet e skanimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve.

“Me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë në faqen zyrtare të gjitha kopjet e skanimit të formave të rezultateve të kandidatëve dhe formularëve të rezultateve përfundimtare”, ka thënë Elezi

Zëdhënësi i KQZ-së tha se përmes këtij publikimi, kandidatët mund të shohin të dhënat, si formë fotografie, nga secili vendvotim në të gjithë territorin e Kosovës.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që sot të fillojnë me rinumërimin e 30 kutive të votimit nga komuna të ndryshme të Kosovës, për shkak se ato nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta dhe deri tani po mbaheshin në karatinë.

KQZ gjatë ditës së sotme do të bëjë njoftim zyrtar se kur do të publikohen formularët në faqen zyrtare të saj.

“Gjithashtu, sot kemi filluar me rinumërimin e 30 kutive të votimit të cilat janë nga vendvotimet e ndryshme, nga komunat e ndryshme të Kosovës. Për këtë rinumërim ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas rekomandimit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve për arsye të ndryshme që kanë hasur gjatë pranimit të tyre në QNR”, ka thënë Elezi.

Këto vendvotime, Elezi tha se kanë qenë në karantinë pas skanimit, për shkak se nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta.