KQZ vendos për rinumërimin e 115 kutive të votimit

17.06.2017 22:57:13

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marr vendim për rinumërimin e 115 kutive të votimit në 115 vendvotime për arsye të ndryshme.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj tha se ka përfunduar rinumërimi i të gjitha kutive që është vendosur për rinumërim.

Ai para anëtarëve të KQZ-së ka paraqitur raportin preliminar ku janë dhënë arsyet e pavlefshmërisë së fletëvotimeve. Sipas tij nga studimi i rasteve të fletëvotimeve të pavlefshme, 518 në total në 30 vendvotimet e rinumëruara është gjetur se kanë pasur të bëjnë me gabime në votim.

“Nga procesimi i formularëve të rezultateve një numër i vendvotimeve nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, për shkak të mospërputhjeve dhe ato vendvotime kanë përfunduar në auditim ku QNR-ja ka bërë hetimet dhe auditimet në vendvotimet, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta. Arsyet se pse kanë shkuar këto vendvotime në auditim nga rastet me të shpeshta është ku subjekti nuk ka vota dhe kandidatët kanë vota, kandidati ka më shumë vota se sa subjekti dhe arsyeja tjetër pse ka shkuar në auditim është kur kandidatët kanë më shumë vota se subjekti. Por shumica e vendvotimeve kanë të bëjnë me formularët e rezultateve të kandidatëve nga vendvotimet që kemi sjellë këtu vetëm tre vendvotime kanë probleme me mospërputhje me formularët e rezultateve për subjektin”, tha Ahmetaj.

Por, përfaqësuesi i PDK-së, në KQZ, Betim Gjoshi rekomandoi që të rinumërohen të gjitha pa përjashtim, pasi është më mirë për publikun.

“Duke e parë që kësaj here nuk kemi edhe raste shumë jemi brenda dinamikës së parashikuar, ndoshta ka qenë mirë që këtë kategorinë e parë t’i numërojë të gjitha për një arsye tjetër për të parë prapë analizën tjetër te kjo kategori, të këtyre votave të pavlefshme. Ka qenë mirë KQZ me vendos, ndoshta iu nxjerrim punë, por kjo është më mirë edhe për publikun, edhe për kandidatët që po mundohemi çdo votë ta dërgojmë në vendin e duhur të votuesit, ka qenë mirë të rinumërohen”, tha Gjoshi.

Në mbledhjen e KQZ-së, koordinatori i QNR-së Burim Ahmetaj po ashtu ka prezantuar edhe raportin preliminar ku janë dhënë arsyet e pavlefshmërisë së fletëvotimeve të 30 vendvotimeve që janë bërë dje.

Sipas këtij raporti, nga 518 fletëvotime të pavlefshme, 205 kanë qenë të shënjuara me shumë se një subjekt politik, 250 kanë qenë kur janë shënuar vetëm kandidatët por nuk është shënuar subjekti politik dhe vetëm 62 kanë qenë fletëvotime të dëmtuara qëllimisht.

“Nga kjo analizë, nga ky hetim rezulton se janë vetëm tri kategori që dominojnë te numri i madh i fletëvotimeve. Pra, nga 30 vendvotime janë 518 fletëvotime të pavlefshme. I keni të listuara sipas vendvotimeve dhe sipas komunave dhe kategoritë e pavlefshme janë, kur e ka shënjuar me shumë se një subjekt, pra ai fletëvotim është bërë i pavlefshëm që është një pjesë dominonte, një kategori tjetër është kur ka shënuar kandidatët, por nuk ka shënuar subjektet politike dhe kategoria tjetër janë dëmtimet e qëllimshme. Nga hetimi del se kategoritë kur janë shënuar më shumë se një subjekt dhe kur janë shënuar kandidatët dhe jo subjekti janë kategori dominon, ndërsa kategoria tjetër dëmtim i qëllimshëm është shumë e vogël”, u shpreh Ahmetaj.

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje Adnan Rrustemi ka kërkuar mbledhjen e këtyre të dhënave nga secili vendvotim, në mënyrë që të shërbejnë për një analizë pas përfundimit të këtij procesi zgjedhor.

“Edhe këto raste që po prezantohen si dëmtim i qëllimshëm apo shprehje e një lloj pakënaqësie, unë mendoj që nuk duhet të përqendrohemi në këtë fazë, mirë është t’i mbledhin në secilën kuti që ka rinumërim, por këto le të jenë mbledhje e të dhënave që do t’i shërbejnë komisionit që do t’i hetoj këtë çështje. E kemi të pamundur të bëjmë vlerësimin dhe diskutimin kuti për kuti dhe raste për raste, duhet të kemi një mostër për gjithë vendin, që merr specifikat e caktuara urbane, rurale, duhet ta dimë as është më e theksuar në vendbanime urbane, apo rurale”, tha Rrustemi.

Edhe anëtari i PDK-së në KQZ, Betim Gjoshi kërkoi që të mblidhen të gjitha rezultatet dhe të bëhet një analizë e mirëfilltë për numrin e madh të këtyre gabimeve, pasi  shumë afër janë zgjedhjet lokale dhe duhet nxjerr mësime nga këto.

“Na duhen statistikat për të nxjerrë mësime nga këto për zgjedhjet lokale, sepse i kemi në prag zgjedhjet lokale. Nuk po them që këta me humb kohën aty, sepse analizat e mëtutjeshme nuk i pengon askush, ato do të vazhdojnë i kemi bërë edhe në të kaluarën pa na thënë askush. Por është rritje e madhe, këta mund të nxjerrin edhe ato librat e votimit sa ka pasur asistencë, sepse kemi bërë presion për t’i larguar asistencën, por ne e dimë që mijëra njerëz kemi edhe analfabet, kemi edhe mijëra njerëz që nuk janë të kapshme për këtë sistem zgjedhor, sepse me votën preferenciale është goxha e vështirë edhe për vende me demokraci të lartë e të zhvilluar, por është mirë të kemi një analizë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Ahmetaj bëri të ditur se janë në proces të regjistrimit të votave me kusht dhe me postë, dhe pasi të bëhet kompletimi i skanimit të tyre, kah fillimi i javës së ardhshme do të fillohet verifikimi dhe të dihen votat me kusht dhe ato me postë.