Krahasimi i Gjykatës Speciale me persekutimin e hebrenjve – kryeskandal i Hashim Thaçit

14.02.2018 16:29:24

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi ka bërë shumë skandale gjatë rrugëtimit të tij politik, por krahasimi që ia ka bërë Gjykatës Speciale me persekutimin e hebrenjve nga Hitleri, është kryeskandal, sepse ka krahasuar një projekt ndërkombëtar, që ka mbështetjen e SHBA-ve dhe të aleatëve të tjerë të cilët historikisht njihen si shtete që e kanë luftuar nazizmin, por edhe që kanë ndërtuar një sistem lirie që bazohet edhe në filozofinë e lirisë, si dhe janë shtetet që kanë investuar dhe janë duke investuar shumë në lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, me nazizmin si një nga ideologjitë më kundërnjerëzore dhe një ndër vrasësit më të mëdhenj të popujve të ndryshëm

Kjo do të thotë se mbështetësit e kësaj Gjykate janë në rolin e nazistëve, kurse ata që do të gjykohen nga gjykatësit e kësaj Gjykate na qenkëshin hebrenj! Vallë, amerikanët na qenkëshin nazistë? Aleatët tjerë të Kosovës na qenkëshin nazistë?

Në fakt, Gjykata Speciale është proejktuar si institucion që duhet të trajtojë krimet e luftës në Kosovë, pra të bëjë ato punë që institucionet vendore të drejtësisë nuk i kanë bërë qoftë se kanë qenë dhe janë të kapura, qoftë se u kanë munguar kapacitetet njerëzore, profesionale e financiare, qoftë edhe për shkaqe të pamundësisë për të garantuar sigurinë e dëshmitarëve të mundshëm etj.

Krahasimi i këtillë i Gjykatës Speciale me persekutimin e hebrenjve, në fakt, e nxjerr hashim Thaçin në pozita të kundërta me filozofinë e lirisë, me parimet themelore të funksionimit të demokracisë dhe të shoqërive perëndimore që bazohen në shtetin ligjor, në barazinë para ligjit dhe në ndëshkueshmërinë e krimeve pavarësisht se kush i kryen dhe ndaj kujt janë kryer.

Ndërkaq, është bërë e qartë se Gjykata Speciale nuk ka për qëllim të njollosë askë, pra as UÇK-në, as ta ridimensionojë luftën çlirimtare, as përmasat e krimeve serbe kundër shqiptarëve, por të gjykojë ata individë që gjatë luftës e deri në fund të vitit 2000 kanë kryer krime në Kosovë.

Gjykime kolektive nuk ka pasur as në Gjykatën për krime lufte në ish-Jugosllavi, e nuk do të ketë as në Gjykatën Speciale, prandaj, gjithkush do të përgjigjet për veprat që ka bërë vetë. Fshehja mbrapa UÇK-së dhe mbrapa masakrave serbe ndaj shqiptarëve, është vetëm përpjekje për manipulim të opinionit dhe përpjekje për të fshehur krimet e tyre mbrapa emrit të UÇK-së.

Duket se frika nga e vërteta që mund të dalë nga proceset gjyqësore për krimet e kryera gjatë luftës, e që i jep fund mashtrimit dhe manipulimit me luftën dhe me sakrificën për liri të disa individëve, i ka shpërfytyruar aq shumë sa të mos kontrollojnë dot as deklarimet dhe qëndrimet institucionale.

Po ashtu, mundësia që të zbulohen edhe lidhjet me mafian dhe agjenturat serbe, ruse dhe të shteteve aleate të Serbisë, Rusisë etj., i ka çartur edhe më shumë, prandaj nuk po përmbahen dot, megjithatë krahasimi i Gjykatës Speciale me persekutimin e hebrenjve është një marrëzi, është një skandal që nuk do të duhej të ndodhte.