Qëndrimet tona ndaj njerëzve me çrregullime mendore, dhe roli i medias!

22.06.2018 00:41:55

Nga: Thëllëzë Kastrati

Sa herë që më ndodhë të dëgjoj biseda për shëndetin mendor, njerëzit me çrregullime mendore apo profesionistët e shëndetit mendor vërej një mungesë të dukshme informimi të njerëzve rreth këtyre çështjeve. Jo se dëgjoj njerëz që thonë se nuk i njohin këto tema, sepse kjo do të ishte e pranueshme, por kryesisht dëgjoj njerëz që paragjykojnë, i etiketojnë apo i përqeshin njerëzit me çrregullime mendore, që edhe më shumë se mungesë informimi është keqinformim, për të cilin çmimin më të lartë po e paguajnë këta njerëz.

Edhe të them “këta njerëz” është shprehje e papërshtatshme, për shkak se edhe të krijosh grup të njerëzve me çrregullime mendore është e paarsyeshme përderisa çrregullimet mendore duhet të trajtohen si çdo sëmundje tjetër, ku personi i prekur nga sëmundja nuk përqeshet por trajtohet. Por pse ne nuk përqeshim një njeri me sëmundje zemre, ose ndonjë sëmundje organike por atë me çrregullim mendor?

Nëse kthehmi në kohë dhe e shohim trajtimin e njerëzve me çrregullime mendore në kohë të ndryshme, pikpamjet dhe qëndrimet tona rreth çrregullimeve mendore, si pasojë e të cilave vie dhe trajtimi që ne ua bëjmë njerëzve me çrregullime mendore, dhe mosvlerësimi që u bëjmë profesionistëve të shëndetit mendor, mund të themi që kultura jonë është kulturë e kohës së mesjetës.

Pra ne jemi popull me tendeca evropiane dhe qëndrime proamerikane, por kemi kulturën që popujt tjerë evropian dhe amerikan e kanë pasur në kohën e mesjetës.

Më herët e shtrova pyetjen “pse?”

Kam disa përgjigje për këtë pyetje, por këtë herë po shkruaj për atë që mua më bëri përshtypje këto kohë.

Nëse qëndrimet e tilla ndaj çrregullimeve mendore, njerëzve të prekur nga to dhe profesionistëve të shëndetit mendor i shohim si mungesë informacioni apo keqinformim, ose trajtimin e tyre si sjellje të modeluar nga modelet që media ofron, nga fakti se media është një nga faktorët kryesorë të cilën e njohim për rolin dhe fuqinë informuese që ka është njëkohësishtë adresa e parë të cilës duhet ti drejtohemi për këtë çështje.

Po bëj një krahasim për të sqaruar më mirë këtë që po them. Kohëve të fundit kam parë njerëz me çrregullime mendore në mediat e huaja. Më bëri përshtypje fakti se mediat e huaja kanë programe ku të ftuar kanë njerëz me çrregullime mendore të cilët flasin për çrregullimin e tyre, problemet që i ka shkaktuar çrregullimi që kanë në jetën e përditshme, mënyra në të cilën i kanë përballuar ato probleme, dhe mënyrat se si janë përshtatur dhe kanë arritur të kenë jetë sa më cilësore.

Ndërsa në mediat tona sheh intervistat e “Vali Corleones”, njeri te i cili ishte e dukshme se kishte çrregullime mendore që nga shfaqjet e para televizive, por përpiqesha të arsyetoja se gazetarë të caktuar nuk e dinin. Por edhe pse u bë publik fakti që ky njeri ka qenë në psikiatri, shoh përsëri intervista në të cilat një njeri me çrregullime mendore përqeshet publikisht nga media, dhe media inkurajon edhe njerëzit tjerë ta përqeshin.

Rasti i parë që përmenda për shfaqjen e njerëzve me çrregullime mendore në media ka efekt shumë pozitiv te ata që e shikojnë, për shkak se

  • jep informacion të dobishëm për njerëzit që nuk kanë njohuri për çrregullimet mendore, duke e rritur dhe mundësinë për të qenë më empatik ndaj njerëzve me çrregullime mendore, dhe si rrjedhojë për ti ofruar atyre një trajtim më të mirë, si dhe
  • i ndihmon drejtpërdrejtë njerëzve me çrregullime mendore duke i bërë ata ta kuptojnë se nuk janë vetëm, se ka edhe njerëz të tjerë që përjetojnë të njetat gjëra dhe ndjehen njejtë. Si dhe i tregon atyre për mënyrat se si mund të përballohen me lehtë problemet që u shkakton çrregullimi që kanë.

Ndërsa te rasti në mediat tona nuk ka asnjë efekt pozitiv, përkundrazi efekte shumë negative

  • për njerëzit që e shohin se si publikisht përqeshet një njeri me çrregullime mendore, dhe vazhdojnë ta bëjnë të njejtën gjë, duke harruar faktin se para vetes kanë një njeri.
  • Si dhe për njerëzit me çrregullime mendore të cilët e shohin se si do të përqeshen nga shoqëria për shkak të çrregullimit mendor që kanë.

Pra përderisa mediat e huaja informojnë njerëzit për çrregullimet mendore, i bëjnë ato më të pranueshme në shoqëri, i përkrahin njerëzit me çrregullime mendore dhe i motivojnë ata për të arritur një jetë sa më cilësore, mediat tona përqeshin, dhe i motivojnë shikuesit të përqeshin njerëyit me çrregullime mendore.

Nëse gjatë krahasimit të trajtimin që mediat (si burimi më i fuqishëm i informacionit) e huaja dhe ato tona ua bëjnë njerëzve me çrregullime mendore, e ke parasysh faktin se njëri nga komponentet e qëndrimeve është ai njohës, nga informacioni dhe modeli i trajtimit që njerëzit marrin në media mund ta kuptosh lehtë qëndrimin dhe trajtimin që populli ynë dhe popujt tjerë ua bëjnë njerëzve me çrregullime mendore.

(E di se media është shëndrruar në biznes duke neglizhuar rolin informues që ka. Por mediat e huaja janë shembull shumë i mirë se si media mund të zhvillohet konform rolit informues dhe edukues që ka, e si e tillë të sjellë edhe përfitime materiale por mbi të gjitha të ndikoj pozitivisht te njerëzit.)/fokusi.org/