Krasniqi: Gjyqtarët dhe prokurorët rrezikojnë të humbin pagat e larta nëse dalin kundër politikanëve

01.07.2018 22:13:27

Gjykata Kushtetuese ditë më parë bëri publik vendimin që qeveritarët të kenë të drejtë të marrin rrogat me rritje, ashtu siç edhe kishin vendosur muaj më parë.

Por përpos tyre nga rritja e rrogave përfiton edhe sistemi i drejtësisë.

Albert Krasniqi nga KDI, njëherësh edhe monitorues i Kuvendit të Kosovës konsideron se rritja e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk e rrit efikasitetin e luftës kundër korrupsionit, përkundrazi do ta dobësojë atë.

Sipas tij emërimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve në masë të madhe është bërë në bazë të lidhjeve me partitë politike e në qoftë se të njëjti provojnë të luftojnë korrupsionin, të dalin kundër interesave të politikanëve të korruptuar, rrezikojnë të humbin pagat e larta.

“Rritja e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk e rritë efikasitetin e luftës kundër korrupsionit, përkundrazi do ta dobësojë atë. Përgjithësisht kemi pasur në pushtet politikanë të korruptuar. Emërimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve në masë të madhe janë bërë në bazë të lidhjeve me partitë politike.”

“Nëse të njëjtit tash provojnë të luftojnë korrupsionin (të dalin kundër interesave të politikanëve të korruptuar), rrezikojnë të humbin pagat e larta.Korrupsioni luftohet kur në pushtet janë politikanë të pa korruptuar, kur prokurorët e gjyqtarët emërohen në bazë të meritave, kur atyre ju garantohet mbrojtje dhe siguri në punë, e tek pastaj mund të flasim për rritje të pagave”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.