Krasniqi i kërkon Veselit të tregoj kush ishin themeluesit e UÇK-së

03.10.2016 17:13:42

Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili sot gjatë ditës tha se celulat e para të UÇK-së janë formuar në Fakultetin Juridik të UP-së. Reagimin e Krasniqit, të postuar në profilin e tij në Facebook, mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“KU JANË FORMUAR CELULAT E PARA TE UÇK-SË?

Reagim ndaj deklaratës së Kryetarit te Kuvendit para studentëve te Juridikut

Jakup Krasniqi

Kulla e Jasharëve ka një rëndësi të veçantë për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për historinë më të re të Kosovës. Në kullën ku u themelua de facto UÇK-ja ndonëse de jure ajo u emërua jashtë atdheut, mysafirë të shpeshtë ka pasur përfaqësues nga Llapi, Drenica, Dukagjini, Llapusha e Drinia etj .

Lindja e këtij organizmi politik e ushtarak u bë krejt në mënyrë të natyrshme, pa bujë, pa konferenca shtypi, pa storie filmike e incizime në celoluidë. Ndodhte kështu, se themeluesit e UÇK-së, qëllim paqësor e të vetëm kishin çlirimin e bashkimin e kombit e jo rrahagjoksin për përfitime familjare e klanore si ndodhi pas luftës çlirimtare.

Është në nderin e secilit qytetar te Kosovës që mos ta mohoj dhe as të dezinformoi për Ushtrinë Çlirimtare te Kosovës!

Historinë e re te Kosovës asnjë individ me “peshë” a po peshë politike, nuk mund ta rishkruaj sipas interesave personale të askujt!

E aq më pak ta rishkruaj neper katedra te fakulteteve të ndryshme.

Kryetari i Kuvendit nëse ka informata se UÇK-ja është formuar në Fakultetin Juridik, do të duhej t’i tregon opinionit themeluesit e saj. Kjo do të ishte me interes për opinionin publik e shkencor”, ka shkruar Krasniqi.