Krasniqi: Më 18 dhjetor do ta sjellim ndryshimin

16.12.2016 19:41:54

Në takimin përmbyllës të Nisma-s për Kosovë, të mbajtur sonte në Drenas për të zgjedhur kryetarin e kësaj komune, kandidati për kryetar, Isa Xhemajlaj tha se nga 19 dhjetori qeverisja do të kthehet tek qytetari.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi falënderoi qytetarët për suksesin e arritur më 4 dhjetor dhe shprehu besimin se më 18 dhjetor do ta sjellin ndryshimin.

“Këtë ndryshim që ka ndodhur dhe do të ndodh në Drenas, është duke e pritur e gjithë Republika e Kosovës. Në ndryshimin që do të ndodh, qytetarët e Drenasit do të priten më mirë në çdo fshat dhe qytet të Kosovës. Ata të cilët i frikësojnë qytetarët e Drenasit, nuk e dëshirojnë ndryshimin e Drenasit dhe për të mirën e qytetarëve të Drenasit, ata vijnë në Drenas për të marrë vota dhe jo për të mirën e tyre. Më 18 dhjetor do ta sjellim ndryshimin”, tha Krasniqi, raporton KosovaPress.

Krasniqi shtoi se për këtë liri të shprehjes, kanë votuar edhe parti të tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ppartia Fjala, kandidati i pavarur Xhavit Drenori, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re.

“Ata që kanë qeverisur pas pavarësisë, votën tuaj nuk e kërkojnë për të përmirësuar, për të zhvilluar Kosovën, për të pasur investitorë të huaj, por për të vazhduar ndërtimin e perandorisë së korrupsionit”, tha Krasniqi.

Gazetari Milaim Zeka tha se në Drenicë nuk e ka bërë luftën vetëm Drenica, por gjithë bijtë dhe bijat që erdhën në Drenicë.

“Isa xhemajlaj deri në katragjysh është shqiptar dhe askush s’mund të thotë se ai ka vjedhur një tullë, prandaj jam me Isa Xhemajlajn”, tha Zeka dhe shtoi se nëse Isa nuk qeverisë me popullin e Drenicës, atëherë e “bombardojmë edhe Isën”.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj tha se nuk ka pasur dëshirë të bëhet kryetar si bandat që kanë qenë në pushtet pas luftës.

“Dua të jem bashkë më ju në fronte të luftës për të hapur vende pune, për këta djem dhe vajza. Nuk dua të dëgjoj si deri tash, se si djemtë dhe vajzat e reja duan vetëm të ikin nga vendi i tyre. Një luftë e cila nuk ishte aspak e lehtë, por ju më 4 dhjetor treguat se një parti moniste nuk do ta bëjë këtë, jo pse nuk duan ata, por sepse ju i dhatë kuptim demokracisë në Drenas. Unë kërkoj nga ju që të njëjtën ta përsëritni edhe më 18 dhjetor. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunën tonë, sepse investitorët nuk do të vijnë kur ne jemi në listën e zezë”, tha Xhemajlaj.

Ai shtoi se më 18 dhjetor do t’i jap një hapësirë zhvillimit në arsim. “Nga 19 dhjetori qeverisja do të kthehet tek qytetari, sepse e kemi për obligim t’ua lëmë nipërve tonë. Kemi nevojë të mbrojnë pasurinë, sepse e kemi mbrojtur edhe në të kaluarën me jetët tona”, tha Xhemajlaj.

Kurse, kryetari i Partisë Nisma, Fatmir Limaj tha se sot gjashtë javë më parë kanë filluar aktivitetin elektoral dhe se shkaqet që kanë sjell në zgjedhje të jashtëzakonshme, janë një realitet që s’e kanë dëshiruar dhe kur kanë filluar fushatën, ishin qenë shumë larg ndryshimit.

“Sot që jemi këtu, Drenasi asnjëherë s’ka qenë më afër ndryshimit të madh. Kandidati është vota e qytetarit dhe rreth këtij ndryshimi janë bashkuar të gjithë kandidatët. Ftoj qytetarët të mos lejojnë të ndalen dhe atë që keni bërë më 4 dhjetor, vuloseni më 18 dhjetor dhe bëjeni Isa Xhemajlin kryetar të Drenasit”, tha Limaj dhe ftoi qytetarët që të mos largohen nga numri 11 “sepse aty është ndryshimi”.

“Keni pritur 16 vjet për të parë ndryshimin, bashkohuni dhe bëjeni ndryshimin, kjo fitore do të jetë e vullnetit të Drenasit. Kemi nevojë që Drenasi të japë votën me zemër dhe ajo votë duhet të shkojë tek numri 11”, tha Fatmir Limaj.