Krasniqi: Thaçi me grupin e tij, e kanë penguar Fehmi Lladrovcin të hyjë në Kosovë

22.12.2016 21:13:32

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se për çështjen e pasjeve me armë është marrë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

“Ai ka kërkuar armatim më të mirë, më cilësor. Ne kishim armë. Ky nuk është faji im, sepse s’ka qenë punë e imja ndarja e armëve. Kanë qenë njerëzit e caktuar dhe ata duhet të tregojnë pse e kanë lënë në atë gjendje Fehmi Lladrovcin. Janë Hashimi, Kadriu dhe Rexhepi. Këta kanë qenë në grupin që e ka pasë për detyrë ndarjen e armëve”, ka thënë Krasniqi në emisionin “Politikë” në Tribuna Channel.

Krasniqi shton se nuk ka pasur problem me asnjë njëri – as gjatë luftës, as pas luftës e sidomos jo me Fehmi Lladrovcin.

“Kjo është shkolla Pronto e cila mund të krahasohet me politikën e Gebelsit, Stalinit dhe Millosheviqit. Dhe, sigurisht është një shkollë e UDB-ës, që ky vend e ka përjetuar me dekada”, tha Krasniqi.