Kreu i LDK-së, Isa Mustafa reagon ndaj anketës së UNDP: Nuk besoj...

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa reagon ndaj anketës së UNDP: Nuk besoj se duhet të shkelet Kushtetuta për ta fituar perceptimin nga qytetarët

31.05.2020 13:23:28

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas rezultateve të publikuara nga një hulumtim i publikuar në bazë të një ankete të UNDP, sipas të cilës është rritur kënaqshmëria e qytetarëve ndaj ekzekutivit dhe legjislatibit të Kosovës.

Në anketën Pulsi Publik të realizuar nga UNDP thuhet se kënaqshmëria e regjistruar me punën e ekzekutivit është 60.7%, që përbën një rritje prej 46.3 pikë përqindje nga anketa e nëntorit 2019 kur ishte 14.4%.

Për kreun e LDK-së statistikat e këtij hulumtimi nuk mund të jenë janë relevante.

“U mundova dje dhe sot të lexoj statistikat, sipas sugjerimeve të një ambasadori të një vendi shumë të respektuar, se ato flasin vet”, ka shkruar Mustafa, në një postim në Facebook.

“E pyeta veten, si mundet një qeveri ku për shkak të pandemisë kanë mbetur të punojnë edhe 5 ministra të LDK-së, e cila dy herë shkeli Kushtetutën, të ketë përkrahje të tillë. Një qeveri e cila shkarkon borde dhe e pranon publikisht se po i instalon partiakët e vet. Nuk më folën rezultatet”, ka thënë kreu i LDK-së.

Ai më tej ka thënë se “Nuk besoj se duhet të shkelet Kushtetuta për ta fituar perceptimin nga qytetarët”.

“Nuk besoj, poashtu, që institucionet e bllokuara nga Covid-19, të cilat nuk mbajnë takime dhe aktualisht janë jofunksionale, marrin përkrahjen e mbi 3/4 të të anketuarëve me telefon nga UNDP për punën e mirë të tyre”.

“Këto mund të jenë simpati personale. Më së paku vlerësime! Prandaj, po i lexoj por, që flasin nuk më flasin këto statistika!”, ka shkruar Mustafa.