Krimi ekonomiko-financiar nis furtunën, 30 zyrtarë të administratës të implikuar

29.07.2019 13:50:30

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtues Lutfi Minxhozi, në një deklaratë për mediat bëri publike disa masa që janë për evidentimin dhe ndëshkimin e  paligjshmërisë.

Sipas tij, Policia e Shtetit ka hartuar një Plan të posaçëm masash për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, në vijim të punës së përditshme.

Strukturat e Policisë së Shtetit në mënyrë të vazhdueshme kanë monitoruar, kontrolluar, inspektuar dhe goditur informalitetin, duke punuar ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Doganave dhe Pushtetin Vendor për të zbuluar, evidentuar dhe proceduar penalisht përfaqësuesit e subjekteve në shkelje të ligjit dhe personat përgjegjës për monitorimin dhe kontrollin ligjor të tyre, të cilët ende vazhdojnë veprimtarinë e kundërligjshme në fushën e turizmit, ndërtimit, hidrokarbureve dhe tregtimin  e mallrave me akcizë.

Në zbatim të këtij plani të posaçëm në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 801 subjekte të ndryshme, nga të cilët 467 shërbime vend-pushimesh me shezlong, 162 lokale në bregdet, 83 hotele, 24 ndërtime pa leje, 4 raste për territore të pushtuara dhe në pika shpërndarëse të karburantit.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, moslëshim i kuptonit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse.

Janë proceduar penalisht 30 zyrtarë të administratës për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nga të cilët: 23 nëpunës të bashkive; 3 nëpunës të sistemit fiskal; 4 nëpunës të Drejtorive Rajonale të Punësimit. Nga nëpunësit e proceduar penalisht, 5 prej tyre janë arrestuar në flagrancë. Në 80 raste, për subjekte të ndryshme janë marrë masa administrative nga Tatimet duke vendosur gjoba, ndësra në 15 raste, organet tatimore kanë vendosur bllokimin e aktivitetit të bizneseve të paligjshëm.

Strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me ato të Tatimeve, Doganave, Inspektoratet Qendror Teknik etj., janë duke vazhduar me intensitet në shkallë vendi kryerjen e detyrave të përcaktuar në “Planin e Posaçëm të  Masave, kundër informalitetit dhe evazionin fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, tregtimin e mallrave të akcizës”, deri në kontrollin e plotë të gjithë territorit të vendit.

Gjatë këtij operacioni masash, përveç parandalimit, evidentimit dhe ndëshkimit të subjekteve, vëmendja kryesore e strukturave të Policisë së Shtetit do të përqendrohet në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin  penal të  çdo zyrtari bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtare pa kasë fiskale, shmangie doganore, në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe kanë sjellë dëme të konsiderueshme Buxhetit të Shtetit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital apo në adresat zyrtare në rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në MB, duke garantuar anonimatin dhe një  reagim të shpejtë e të paanshëm!