Kritikat mbi listat, Basha: Në PD askush s’e ka karrigen e përhershme

30.05.2017 21:08:14

Nga Gjirokastra ku hapi fushatën elektorale, kreu i PD-së Basha iu përgjigj kritikëve lidhur me mos përfshirjen në listat e kandidatëve për deputetë e disa figurave të njohura të selisë blu.

Basha theksoi se edhe brenda PD-së askush nuk e ka të përhershme karrigen, dhe kjo është pjesë e ndryshimit, shkruan gazeta Shekulli.

“Që ta mundim me votë më 25 qershor njerëzit duhet të besojnë që ne nuk jemi këtu të bëjmë estradë. Ndaj ndryshimi ka filluar në shtëpinë tonë. Askush në PD nuk e ka të ngjitur karrigen pas vetes. Unë kam marrë vendime si kryetar i opozitës, kam krijuar ekipin tim fitues, ndonëse janë vendime të vështira janë vendime të drejta në kohën e duhur. Është koha për vendime të forta, të mëdha. Ne bashkë në ‘Çadrën e Lirisë’ kemi marrë vendim të madh, nuk do ta lëmë më të jetë si më parë Republikën e Vjetër, frutat e demokracisë do t’i gëzojë çdo shqiptar dhe çdo shqiptare dhe që të ndodhë kjo duhet t’i japim fund pazarit politik të Republikës së Vjetër”, tha Lulzim Basha.