Kritikët të njohur ndërkombëtarë në Tiranë: Ismail Kadare e meriton Nobelin

20.12.2016 13:56:54

 

Personazhe të njohur të botës akademike ndërkombëtare, njerëz me influencë në botën e letrave sot, përkthyes të veprës së Ismail Kadaresë në gjuhë të tjera, janë bashkuar në Tiranë, në konferencën e organizuar nga Universiteti i Tiranës Departamenti i Letërsisë në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë) në kuadër të aktiviteteve që përkojnë me 80-të vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Seanca e parë e Konferencës që u mbajt në Tirana International u drejtua nga profesoreshë Floresha Dado, studiuesi Francesko Altimari, dhe kritiku i njohur Petër Morgan.

I pari që mbajti kumtesën kushtuar këtij eventi të rëndësishëm ishte kritiku francez Eric Faye. Për Faye, Kadare shkon përtej Oruellit ndërsa anglezi John Hodgson rrëfen impaktin e parë të letërsisë së Kadaresë me botën angleze. “Një nga veçantitë e Kadaresë është zhytja në të kaluarën për të na folur për të tashmen, ndryshe nga Oruell i cili i referohet një fiksioni në të ardhmen për të na paralajmëruar për të tashmen. Letërsia e Kadaresë është një autopsi mbi totalitarizmin”.

Pas tij, fjalën e ka marrë përkthyesi anglez John Hodgson, duke lexuar kumtesën me titull “Pritja e veprës së Kadaresë në Angli e Amerikë në vitet 1971-1990”. David Bellos një tjetër përkthyes i veprës së shkrimtarit shqiptar ka folur për temën “Ismail Kadare dhe çështja e pushtetit”. Për pritjen e veprës së Kadaresë për lexuesin italian, ka folur Matteo Mandala, duke u ndalur tek romani “Kronikë në gur”.

Përkthyesi gjerman Joachim Röhm ka folur për pasojat e përkohshme të “grindjes letrare gjermano-gjermane“ për receptimin e veprës së Ismail Kadaresë në gjuhën gjermane.

Konferenca ka bashkuar përfaqësues prestigjiozë të qarqeve akademike e kulturore nga mbarë bota, nga Australia, Franca, Anglia, Rusia, Gjermania, Italia, Rumania e të tjerë, por edhe studiues të dalluar nga hapësira shqiptare, shkruan Shqiptarja.com

Konferenca “STUDIA KADAREIANA, ALBANICA ET HUMANITATIS” synon të sjellë përparim cilësor e të çelë hulli të reja në njohjen e deritashme shkencore të veprës së Ismail Kadaresë në gjithë shumëfaqësinë e saj, në tërë shtrirjen e vet në kohë dhe në konkretizimet e larmishme që ajo ka njohur në hapësirat gjuhësore, letrare e kulturore të Botës.

Konferenca është e organizuar në një seancë plenare dhe në katër seanca tematike. Në të do të analizohen e trajtohen: risitë themelore me të cilat Ismail Kadare e ka pasuruar trashëgiminë letrare universale, raportet e veprës së tij me autorë madhorë të letërsisë së përbotshme, specifikat e receptimit të saj në kultura të ndryshme varësisht prej horizonteve të dallueshme të pritjes, çështje të karakterit të përgjithshëm të unicum-it kadarean, çështje të pikëprerjes së letërsisë me historinë, mitologjinë, etnografinë e antropologjinë; çështje të gjuhës, të poetikës e të ndërtekstorësisë, çështje të zhanrit, të ndërmedialitetit e të interpretimit. Sipas Lili Sulës “veprimtaria më e rëndësishme deri më sot kushtuar Ismail Kadaresë, jo vetëm do të bëjë një sintezë të arritjeve të deritashme në fushë të studimeve kadareane, por do të shënojë një start të ri cilësor për thellimin e njohjes së këtij personaliteti të shkëlqyer të kulturës shqiptare e të asaj botërore, ndër më të mëdhenjtë shkrimtarë të epokës sonë”.