Kriza e refugjatëve, Bosnja në rrezik nga katastrofa humanitare

25.10.2019 11:30:19

Organizatat humanitare japin alarmin se Bosnja rrezikohet nga katastrofa humanitare, për shkak të pamundësisë për të menaxhuar krizën e refugjatëve. Mbi 45 mijë njerëz nga Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore ndodhen të bllokuar në kufirin verior të Bosnjës prej vitit 2018, pasi Kroacia mbylli kufijtë, duke penguar vazhdimin e rrugëtimit të tyre drejt vendeve të BE-së përmes rrugës ballkanike.

Një reportazh i BBC-së tregon se shumica e tyre jetojnë në çadra të ngritura prej më shumë se një viti, në kushte të mjerueshme, pa ngrohje, ujë të pijshëm, energji elektrike, veshmbathje, higjienë apo shërbim shëndetësor.

Në kampe po përhapet zgjebja, por mjekë për të kuruar të sëmurët nuk ka. E vetmja mënyrë për të frenuar përhapjen është ndarja e të sëmurëve në çadra më vete.

“Nuk kemi ilaçe për t’ua dhënë. Nuk mund t’i kurojmë. Ky nuk është vend ku mund të jetojnë njerëzit. Ndoshta në verë po, por tani jo. Tani është e tmerrshme. Ky nuk është vend për njerëz” – thonë autoritetet vendore.

Shumë refugjatë flenë rrugëve, në ndërtesa të braktisura. Autoritetet thonë se kampet e ngritura deri më tani kanë tejkaluar kapacitetet pritëse, pavarësisht se në verën e këtij viti, Bashkimi Europian akordoi rreth 2 milionë euro për kampe të reja, fonde që nuk dihet nga kanë shkuar.