Kroacia do të ketë në fokus Ballkanin Perëndimor gjatë Presidencës së BE-së

19.06.2019 20:29:10

Ambasada e Kroacisë në Prishtinë ka shënuar Ditën kombëtare në 28-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia e atëhershme.

Në një ceremoni rasti, të organizuar sonte në ambientet e kësaj ambasade, morën pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ish-presidentja Atifete Jahjaga, përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe mysafirë të tjerë të ftuar.

Ambasadorja e Kroacisë, Maria Kapitanoviq ka folur rreth aktiviteteve të cilat janë zhvilluar nga kjo ambasadë gjatë kohës sa ajo ka marrë këtë detyrë, duke përmendur fillimin e kurseve për mësimin e gjuhës kroate, si një mundësi që të rinjtë e Kosovës të gjejnë vende më të mira pune në të ardhmen.

“Kroacia do të bartë përvojat e saja te kosovarët, pasi që bashkëpunimi rajonal është një element i rëndësishëm në marrëdhëniet tona, dhe pasi ne besojmë s kjo është një mundësi unike për Kosovën të paraqesë në kornizën e bashkëpunimit rajonal punën e arritur gjatë periudhës së shpalljes së pavarësisë e deri më sot. Kjo është një mundësi për të dëshmuar proceset vetanake dhe rolin koordinues të institucioneve dhe çështjeve të jashtme nga ana e saj”, tha ambasadorja Kapitanoviq.

Ajo ka bërë të ditur se Kroacia do të marrë rolin udhëheqës të Presidencës së BE-së duke filluar nga viti i ardhshëm, duke thënë se kjo do të jetë një sfidë e re për këtë vend që e merr këtë detyrë për herë të parë, e cila duhet të demonstrohet me shkathtësi nga të gjitha aspektet e saj.

“Një nga prioritetet tona gjatë Presidencës sonë do të jetë më saktë rajoni dhe mbajtjen e fokusit në proceset e BE-së. Kroacia është e interesuar për një rajon të suksesshëm dhe me prosperitet, pasi ju jeni fqinjët tanë. Prioritet i dytë do të jetë zhvillimi i kulturës, por po ashtu është në interes të fuqishëm një BE e fuqishme, ndërtimin e marrëdhënieve me rajonin, një njohjen e benefiteve afatgjata për të gjithë ne”, tha ambasadorja Kapitanoviq.