Kryebashkiaku i Nju Jorkut kritikohet për rritjen e pagave për bashkëpunëtorët

12.08.2016 19:13:04

Një furtunë kritikash është përplasur ndaj Bill de Blasio, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut që ka aprovuar rritjen e rrogave për stafin e tij për një total prej 2 milionë dollarësh.

Në këtë rritje përfshihen edhe 13 mijë dollarë për kuzhinierin e tij Feliberto Estevezat, i cili do të përfitojë kështu 115 mijë dollarë në vit.

Polemikat kanë qenë të menjëhershme. E para që ka sulmuar qytetarin e parë të “Mollës së Madhe” ka qenë sindikata e policisë. “Është një hipokrit”, ka deklaruar Pat Lynch, kryetar i Shoqatës së Agjentëve të Patrullimit.

Rritja e pagave është justifikuar nga këshilli bashkiak me nevojën për të “mbajtur një staf më të kualifikuar” dhe për të ofruar “rroga konkurruese”.

“Nëse kryetari i bashkisë u beson këtyre fjalëve, atëherë duhet të punojë për të rritur rrogat e agjentëve të policisë që ruajnë çdo ditë rrugët dhe që fitojnë 30 për qind më pak se agjentët e qyteteve të tjera”, ka shtuar më tej Lynch.