Kryeministri ende nuk ka konfirmim zyrtar për arrestimin e punonjësit të tij, Zahri Bajrami

10.02.2017 16:48:22

Një zyrtar i lartë i qeverisë së Kosovës është arrestuar pasditen e djeshme nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar para për zgjidhjen e një lënde në gjykatë.

“Bazuar në lajmin e publikuar në media lidhur me arrestimin e Drejtorit të Zyrës për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrit, ju njoftojmë se, deri më tani nuk kemi informatë zyrtare nga institucionet kompetente”, thuhet në kumtesën e zyrës për informim të kryeministrit.

Aty thuhet, se duke u bazuar në Rregulloren nr: 04/2016 për Bashkëpunim Institucional të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori i shtetit duhet të njoftoj autoritetet përkatëse publike, kur një shërbyes civil akuzohet, ose procedimi penal ka filluar ndaj tij/saj, transmeton lajmi.net.

“Në rast të njoftimit zyrtar nga organi kompetent për fillimin e procedurës penale ndaj një shërbyesi civil, Zyra e Kryeministrit do t’i ndërmerr të gjitha masat ligjore konform nenit 69 të Ligjit nr. 03/l-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në kumtesë.